Qeveria e Kosovës mori vendim që organizatat që veprojnë në komunat veriore të vendit si “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste. Kundër këtij vendimi ishte ministri serb Nenad Rashiq.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se këto organizata janë kërcënim serioz dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ky propozim është arsyetuar më pas edhe nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla duke thënë se e kanë sfiduar shtetin me barrikada, sulme ndaj zyrtarëve policorë, ndaj objekteve shtetërore, ndaj kundërshtarëve politikë e të tjera.
Mirëpo, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi se nuk duhen të merren vendime të ngutshme, prandaj ka kërkuar që të rishikohet i njëjti.
Mirëpo, propozimi i tij nuk është marrë parasysh dhe në fund kabineti qeveritar votoi me shumicë që “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen organizata terroriste.