Më shumë se 70 për qind të mediave në Kosovë publikojnë lajme për Türkiye-n     Foto:AA

Mbi 70 për qind e mediave online të cilat i janë përgjigjur një pyetësori të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), kanë aprovuar se publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye (Turqi).

Nga 18 media online të cilat KMShK i ka pyetur me 34 pyetje te ndryshme për të analizuar mundësitë e dezinformimit dhe dezinformimit me lajme të rreme, ka nxjerrë në pah mangësi të ndryshme të mediave online në Kosovë të përmbledhura në një raport me titull “Keqinformimi, Dezinformimi dhe Lajmet e Rreme në Mediat Online në Kosovë”.

Në kuadër të praktikave të publikimit të lajmeve nga burime jashtë vendit, KMShK ka pyetur mediat online ndër të tjera se a publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye, ku 77,8 për qind janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 22,2 për qind negativisht.

Mediat të cilat janë përgjigjur pozitivisht kanë arsyetuar se raportojnë, mes tjerash, rreth çështjeve të ndikimit të Türkiye-s në rajon apo edhe rreth diasporës shqiptare në Türkiye.

Gjithashtu, këto media janë arsyetuar se publikojnë lajme nga Türkiye për shkak të interesit të opinionit publik, për shkak të ekonomisë dhe për shkak të shkëmbimeve tregtare Kosovë-Türkiye.

Mediat të cilat kanë thënë se nuk publikojnë informacione lidhur me ngjarjet në Türkiye janë arsyetuar se “publikojnë më shumë lajme vendore dhe nga rajoni” dhe “nuk kanë ndonjë interes”.

Duke folur rreth problemeve të brendshme të mediave online, autori i raportit Qerim Ondozi përmendi faktin që shumica e pronarëve të mediave online janë njëherësh edhe drejtorë të mediave që kanë nën pronësi, mossanksionimin e gazetarëve kur ata qëllimshëm shkruajnë lajme të rreme, mungesën e lektorëve në mediat online, e të tjera.

“Problem tjetër ose gjetje interesante për ne është se nuk kemi parë përqindje të lartë të sanksionimit ose ndëshkimit të gazetarit i cili qëllimshëm e ka prodhuar një lajm të rremë. Në njëfarë forme kjo na shtyn në përfundimin se redaktorët apo pronarët e mediumit janë të interesuar për prodhim të lajmit të rremë”, theksoi Ondozi.

KMShK ka rekomanduar që redaksitë e mediave online në Kosovë duhet të përpiqen t’i zbatojnë sa më shumë standardet profesionale dhe etike të të bërit gazetari, të demantojnë dezinformatat dhe të punojnë më shumë në verfikimin e fakteve.

AA