Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, në Kosovë ende është në fuqi udhëzimi administrativ që e pengon bartjen e shamisë në shkolla. Ky vendim i miratuar në janar të vitit 2014 ndër vite ka ngjallur reagimet e qytetarëve, aktivistëve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Debati (kërkesa) për shfuqizimin e këtij vendimi është aktualizuar sërish në fillim të gushtit. Nismëtar të kësaj iniciative janë aktivisti Liridon Kurti dhe ish-këshilltari i jashtëm i Albin Kurtit, Durim Berisha. Fushata e tyre ka marrë jehonë të madhe në të gjitha mediat e Kosovës. Deri te ministria MASHTI, është dorëzuar kërkesë për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste gjatë kohës sa ishte në opozite e ka përsëritur qëndrimin se nuk është kundër shamisë. Ai, në një tubim me qytetar, kishte deklaruar se për të është e rëndësishme çfarë ka në kokë e jo mbi kokë.
Udhëzimi administrativ i vitit 2014
Qëllimi i udhëzimit administrative të miratuar me 28 janar të vitit 2014 është të përcaktojë të drejtat, obligimet, veprimet e ndaluara, vijueshmërinë në mësim dhe masat e procedures disiplinore dhe zbatimin e tyre ndaj nxënësve të cilët i shkelin rregullat e kodit të mirësjelljes. Nenet 2 dhe 3 të këtij udhëzimi administrative të MASHTI-it, i rregullojnë obligimet dhe veprimet e ndaluara të nxënësve në shkolla. Pjesa e kontestuar e këtij udhëzimi administrativ është neni 3, paragrafi 1.13, në të cilët thuhet se në veprimet e ndaluara në shkolla përfshihet edhe “Bartja e uniformës fetare”.
Dispozitë e paligjshme
Krahas kërkesës me shkrim të dorëzuar deri te MASHTI, aktivistët kanë filluar një peticion online, për të cilën thonë se do t’ju dërgohet organeve kompetente. Sipas tyre, ndonëse kjo dispozitë nuk i referohet një komuniteti të caktuar fetar në Republikën e Kosovës, praktika ka dëshmuar se kjo dispozitë është përdorur vetëm për të përjashtuar nga procesi mësimor vajzat muslimane që kanë vendosur mbulesën e kokës.
Neni 55 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”,. Organizatorët konsiderojmë se përpos kësaj dispozite kushtetuese, po shkelet edhe neni 47 i Kushtetutës i cili garanton të drejtën për shkollim dhe obligon shtetin që të sigurojë qasje të barabartë në arsim. Po ashtu, përmes këtij akti nënligjor, po shkelet neni 38 i Kushtetutës i cili garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë.
MASHTI: Çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore
Përderisa opionini publik është në pritje të vendimit të MASHT-it, rreth kërkesës për ndryshim udhëzimit administrative të kontestuar, ata së fundmi kanë njoftuar se janë duke bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë. Në komunikatën e MASHTI-it, mes tjerash theksohet do t'i përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe do të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore “E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj konform përgjegjësive që kemi, do t'i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”, thuhet në komunikaten e MASHTI-it. Ndryshe, në njoftim thuhet se ata angazhohen në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar.
Shamia në shkollat e Kosovës
Mbulesa e vajzave muslimane në shkollat e Kosovës cdoherë ka ngjallur debate dhe reagime në shoqërinë kosovare. Një ngjarje e tillë ndodhi në mars të këtij viti në në shkollë në Gjakovë. Vendosja e një shenje për ndalimin e shamisë në hyrje të Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”, ngjashëm si shenjat që e ndalojnë pirjen e duhahit apo mbajtjen e revoles shkaktoi reagimin e shumë qytetarëve, rrjedhimisht edhe të BIK-ut. Arsyetimi i drejtoresh së shkollës ishte se ajo vetëm e respekton ligjin, duke menduar në udhëzimin administrative që është në fuqi.
Kurti: Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë
Pas shumë ditëve debat në rrjetet social dhe mediat në përgjithësi, kryeministri Albin Kurti, sot ka njoftuar se MASHTI, po punon për të adresuar shqetësimin e ngritur të qytetarëve nëpërmjet një fushate për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës
"Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu", tha Kurti.
Duke e arsyetuar qëndrimin rreth moshës 16 vjeçare, ai tha se këtë moshë e shohin si prag për shumë gjëra të cilët kanë ndodhur, dhe do të duhej të ndodhin. Si shembull i përmendi mundësitë që letërnjoftimi mund të merret në moshëm 16 vjeçare, respektivisht lidhja e kurorës mund të bëhet nga kjo moshë. Mes tjerash ai theksoi se në të ardhmen mund të ndodhë që edhe e drejta e votës të jetë nga moshta 16 vjeçare, ashtu siç është në disa vende në botë, përfshi edhe Gjermaninë.