Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Kuvendit në fjalimin e saj përmbyllës për vitin 2022. Osmani foli për luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj të përkthyera në krizë ekonomike dhe energjetike, për tensionet në veri të vendit dhe kërcënimet e Serbisë dhe çështje të tjera aktuale gjatë vitit.
Lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Osmani tha se është një hap drejt synimit historik të vendit.
Duke komentuar tensionet në veri, presidentja e Kosovës theksoi se bandat kriminale nuk do të mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë, edhe atyre në veri, për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovë. Sipas presidentes Osmani, atyre nuk iu pëlqen zbatimi i ligjit, por Kosova nuk do të heqë dorë nga ushtrimi i sovranitetit në veri.
“Le ta kenë të qartë se kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë dhe nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues si dhe për frikësimin e kërcënimin që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, tha presidentja.
Lidhur me kërcënimet e Serbisë për kthimin e policisë dhe ushtrisë serbe në veri, presidentja Osmani tha se kjo ëndërr e Serbisë ka marrë fund në vitin 1999.
“Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë, ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre”, tha ajo.
Fjalimin e fundvitit të presidentes Osmani e bojkotuan dy partitë opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, me akuza se Osmani nuk është figurë unifikuese. Deputetët e LDK-së nga ana tjetër ishin të pranishëm gjatë fjalimit të presidentes.