Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, dhe të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, me të cilët ka biseduar për zhvillimet rreth dialogut me Serbinë.
Për këtë takim Osmani ka dhënë detaje në rrjetin social X.
“Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i ShBA-së është kyç për të përfunduar procesin, duke i hapur rrugë njohjes reciproke”, publikoi presidentja.
Ndërsa Chollet tha se me Osmanin patën diskutim të mirë mbi përkushtimin e përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës e nevojën për të depërshkallëzuar tensionet.
“Diskutim i mirë me presidenten Vjosa Osmani, mbi përkushtimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të deeskaluar tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – çelësi i stabilitetit rajonal dhe i integrimit në Bashkim Evropian”, ka shkruar Chollet në “X”.
Osmani ka udhëtuar në ShBA në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.