Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Uashingtonit D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, si pjesëmarrëse në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Presidentja Osmani vlerësoi ftesën e sekretarit Blinken dhe theksoi se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
Sipas një deklarate të Presidencës, kjo ftesë u hap rrugën partneriteteve të reja në ecurinë e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja. Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë”, thuhet në komunikatën presidenciale.
Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve globalë nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Samiti i NATO-s në Uashington D.C., shërben si platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.