Osmani: Ushtria dhe policia serbe kurrë më në Kosovë   Foto: AA Archive

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar sot deklaratat e zyrtarëve serbë për sjelljen e policisë së Serbisë në Mitrovicën e Veriut. Në një publikim në Facebook, Osmani tha se Serbia po e dëshmon mendësinë hegjemoniste edhe sot e kësaj dite.

“Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999”, shkruan Osmani.

Presidentja e Kosovës thotë se plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të së drejtës për informim të lirë, sipas saj.

“Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë. Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!”, thotë Osmani.

Tensionet në veri të Kosovës u rikthyen me shpalljen e zgjedhjeve për komunat serbe, pasi partitë e serbëve të Kosovës u tërhoqën nga institucionet e shtetit për shkak të mosmarrëveshjeve rreth targave ilegale.

TRT Balkan