Paraburgim për tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe / Foto: Reuters

Tre policëve të Kosovës, të rrëmbyer nga forcat serbe në veri të vendit, sot iu shqiptua masa e paraburgimit në Serbi.

Policëve iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë, pas kërkesës së bërë nga prokurori publik i këtij qyteti në jug të Serbisë.

Ndërsa, avokati serb, Çedomir Stojkoviq, paraprakisht u shpreh se cilido qoftë vendimi për policët e Kosovës, ai është marrë personalisht nga Aleksandar Vuçiq.

Të mërkurën më 14 qershor, tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.

Kosova Press