Tri shpërthime raportohet të kenë ndodhur gjatë natës në pjesën veriore të Kosovës.
Lajmi është konfirmuar nga drejtori rajonal i Policisë për veriun, Veton Elshani, i cili ka bërë të ditur se shpërthimet kanë ndodhur në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.
Siç ka thënë ai, njëri rast ka ndodhur teksa një veturë e Policisë po patrullonte, derisa ka shtuar se sulme ka pasur edhe në oborrin e stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, por edhe në afërsi të stacionit policor në Zveçan.
“Në intervalin kohor prej orës 23:30 deri në orën 01:30 kanë ndodhur tri shpërthime. Një ka ndodhur në rrugë gjatë patrullimit të policisë, vetura e policisë është gjuajtur me gurë dhe dyshohet se është hedhur një shok bombë. Një ka ndodhur në stacion të Policisë në Mitrovicë të Veriut, saktësisht në oborr. Dyshohet se janë hedhur dy shok bomba. Shpërthimi tjetër ka ndodhur në Zveçan, në afërsi të stacionit të policisë”, ka thënë Elshani.
Ai tha se nga këto shpërthime nuk ka të lënduar, përpos dëmeve materiale që i janë shkaktuar veturës së Policisë nga hedhja e gurëve.
Në dy rastet e tjera, nuk raportohet për dëme ose lëndime në njerëz.