Në një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, është zbuluar sasi e madhe e armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë Zolla, Osa, eksplozivë dhe armë.
Falë angazhimit intensiv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake, shkruan në Facebook ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla.
"Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia nëpërmjet grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë", shkruan Sveçla.
Mes të tjerash, ai shton se Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet e tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e cdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së vendit tonë.
"Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake", njofton Sveçla.
Tensionet në veri të Kosovës janë rikthyer pasi kryetarët e ri të katër komunave me shumicë serbe janë futur në ndërtesat komunale.