Prishtinë, hapet panairi i 23-të i librit / Foto: AA

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë u hap sot edicioni i 23-të i Panairit të Librit, me moton “Libri triumfon”.

Si çdo fillim qershori, panairi edhe sivjet ka bërë bashkë botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, si dhe mijëra lexues që do të kenë rastin të shfletojnë dhe të blejnë libra deri në fund të javës.

Në rreth 80 stendë të cilat zunë vend në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, tashmë janë shpalosur botimet e 103 shtëpive botuese.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, tha në ceremoninë hapëse se tema kryesore e panairit është motoja "Libri triumfon", derisa njoftoi se në këtë panair janë 2 mijë tituj të rinj.

"Teknologjia paraqitej si rrezik për librin, por ajo ka bërë edhe që libri të arrijë më shpejt te lexuesit e vet", ka thënë Zeneli.

I ftuar special në këtë panair është shkrimtari me famë botërore i cili për disa herë me radhë ka qenë kandidat për çmimin prestigjioz në letërsi "Nobel", Ismail Kadare.

"Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur, kaq frymëzuese kaq të paharrueshme që është dita e librit e cila çdo populli i bën nder të madh. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë kemi harruar, por, pastaj jemi kujtuar dhe jemi kthyer. Por, unë shpresoj se do të rikthehemi më mirë, më fort, më bukur, në të ardhmen", theksoi Kadare.

Panairi do të qëndrojë i hapur çdo ditë deri ditën e diel nga ora 9 e mëngjesit deri në 8 të darkës, përderisa gjithsej do të ekspozohen 6 mijë tituj veprash.

AA