Dhjetëra të rinj në Prishtinë kanë protestuar me rastin e 1 Majit - Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke kërkuar zbatim të të drejtave të punëtorëve në Kosovë.
Me thirrjet "Punëtorët punojnë, pronarët fitojnë", "Punëtori/ja rob i shefit, s’rri deri vonë prej qejfit", "Poshtë shteti patriarkalo/kapitalist", "Kapitalizmi vret dhe skllavëron", protestuesit marshuan nga sheshi "Zahir Pajaziti", deri tek Agjencia Ekzekutive e Inspektoratit të Punës për të vazhduar edhe deri te ndërtesa e Qeverisë.
Protestuesit pranë Inspektoratit të Punës lëshuan tym me ngjyrë të zezë dhe të kuqe derisa thirrnin njëzëri "Liri, barazi, solidaritet".
Njëra nga organizatoret e kësaj proteste, Bjeshka Guri, tha se janë mbledhur për ta kundërshtuar shtypjen e klasës punëtore që kap 99 për qind të qytetarëve.
"Secili nga ne, jemi më se të vetëdijshëm për nënçmimin e përditshëm që përjetojmë duke kaluar një jetë të tërë të tjetërsuar nga vetvetja, familja dhe shoqëria. Ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën sunduese. Puna jashtë orarit, puna pa kontrata, rroga minimale 170 euro, vendet e pasigurta të punës, vdekjet, abuzimet, krimet seksuale nuk janë simptoma të një sistemi të keqmenaxhuar. Përkundrazi, janë pjesë të një sistemi të mirëdizajnuar i cili mbahet e rritet nëpërmjet pabarazisë, shtypjes dhe dhunës ndaj klasës punëtore", tha Guri.
Tutje, ajo tha se vdekjet në vendin e punës nuk janë thjesht aksidente dhe se 80 për qind e grave jashtë tregut të punës nuk është thjesht papunësi, por "është pasqyrë e shtypjes sistematike ndaj grave nëpërmjet ndarjes gjinore të punës që feminizon dhe devalvon punën e kujdesit dhe riprodhimit shoqëror, për të përfituar prej saj pa ndonjë kompensim".
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë gjatë vitit 2022 gjithsej nëntë punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.