Qindra punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar para Zyrës qendrore të KEK-ut në sheshin e Prishtinës, për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për rritje të pagës dhe pagesën e orëve gjatë fundjavës dhe të shtesës së rrezikshmërisë.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se vendimi për protestë u mor pasi takimet me menaxherin e ndërmarrjes nuk sollën zgjidhje konkrete për kërkesat e punëtorëve.
Sipas tij, pagat janë rritur vetëm 70 euro gjatë këtyre viteve.
"Të gjithë ata që mendojnë se pagat e punëtorëve të KEK-ut janë të larta, do t’i kisha lutur t’i sjellin fëmijët e tyre që të punojnë në KEK", theksoi Llumnica.
Ai shtroi edhe kërkesën rrezikshmëria në vendin e punës, si dhe pagesa për punën gjatë fundjavës të paguhen.
"Ne në KEK i përcjellim për botën tjetër mesatarisht 30 vetë në vit. Nuk ka vend në Kosovë as në Evropë, që ka rrezikshmëri më të lartë sesa te punëtorët e KEK-ut", tha Llumnica, duke nënvizuar se menaxheri i KEK-ut nuk e ka vlerësuar rrezikshmërinë asnjëherë, edhe pse një gjë e tillë është e paraparë me Ligjin e Punës.
Ndërkaq, ai tha se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e qëllimeve të tyre.
Pas paralajmërimit të protestës nga Sindikata e Re e KEK-ut, menaxheri i KEK-ut tha se ka shqyrtuar kërkesat e sindikalistëve, mirëpo ende nuk është bërë i ditur ndonjë vendim nga ana e tyre.