Shok bomba, kokteje molotovi, automjete të KFOR-it në flakë, protesta, përleshje e arrestime. Këto skena nga veriu i Kosovës bënë xhiron në fund të muajit maj, në vazhdën e tensioneve të reja mes serbëve lokalë dhe shtetit të Kosovës.
Serbët lokalë filluan protestat kundër kryetarëve të rinj të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilat shpejt përshkallëzuan në dhunë. Protestuesit u përleshën me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, duke u përjekur të ndalojnë kryetarët e 4 komunave me shumicë serbe që të nisin punën në godinat komunale.
Dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar, ndërsa u arrestuan disa protestues të dhunshëm.
Ky rajon i brishtë brenda Republikës së Kosovës ka parë shumë pak qetësi që nga viti i kaluar. Ju sjellim një vështrim prapa në kohë të zhvillimeve rreth veriut.
Tërheqja e serbëve nga institucionet
Qeveria e Kosovës mori një vendim për ndalimin e targave të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Tensionet disamujore rezultuan me shkarkimin e shefit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak të moszbatimit të vendimit të Qeverisë për ndalimin e qytetarëve me targa ilegale të automjeteve.
Serbët u përgjigjën me vendimin për të braktisur të gjitha institucionet e Kosovës, më 5 nëntor të vitit 2022.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale
Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës paraqiti nevojën për plotësimin e boshllëqeve institucionale, përfshirë edhe për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri. Presidentja Vjosa Osmani më 14 nëntor shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe, të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor.
Megjithatë, pas shumë tensioneve me serbët lokalë dhe rekomandimeve ndërkombëtare, më 10 dhjetor zgjedhjet lokale u shtynë dhe u ricaktuan për më 23 prill.
Në zgjedhjet e prillit, të bojkotuara nga serbët, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja fitojnë nga 2 komuna.
Por, krerët e rinj të komunave gjejnë një situatë normale në ditën e parë të punës. Serbët lokalë rrethojnë godinat dhe përpiqen të ndalojnë qasjen në to. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës, më pas edhe ndaj KFOR-it, shënon përleshjet dhe incidentet e para në veri. Të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it kanë marrë lëndime, ndërsa janë shkatërruar edhe disa automjete.
Përpjekje diplomatike për ruajtjen e paqes afatgjate
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka urdhëruar ushtrinë serbe të rrisë nivelin e gatishmërisë pas tensioneve të majit në veri. Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq kërcënohet me lëvizjen e ushtrisë në drejtim të kufirit me Kosovën.
Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës është e vendosur të ushtrojë sovranitetin shtetëror në çdo pëllëmbë, përfshirë edhe në veri.
Pozicionet e forta të të dyja palëve ndaj situatës së brishtë në terren ka bërë që ndërkombëtarët të intensifikojnë përpjekjet e tyre për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje afatgjate.
Pas shumë takimeve në Bruksel, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars. Me ndërmjetësimin evropian u arrit një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe një plan aksionar për zbatimin e marrëveshjes. Vuçiq u pajtua se ekziston një marrëveshje, por nuk hodhi firmën në të.
Mes të tjerash, pjesë e marrëveshjes ishte edhe formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ndërsa Serbia detyrohej të angazhohet për të zhdukurit me dhunë në periudhën e luftës në Kosovë.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se nuk po respektojnë detyrimet e marrëveshjes.