Serbët e Mitrovicës veriore në mbështetje të protestës në Serbi               Foto: KOSOVAPRESS

Në solidarizim me qindra mijëra qytetarë të cilët po marrin pjesë sot në protestën masive në Serbi, në mbështetje të studentëve të cilët po luftojnë për një shoqëri më të drejtë dhe më të mirë, rreth 100 qytetarë serbë në veri të Mitrovicës kanë mbajtur të premten 15 minuta heshtje.

Organizatori i këtij aksioni, Sërgjan Gjorgjeviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, në thirrjen që ka bërë një ditë më herët përmes rrjeteve sociale, ka inkurajuar bashkëqytetarët e tij për pjesëmarrje, duke shkruar “Jeta është shumë e shkurtër për ta jetuar me frikë”.

Në protestë u panë pankarta me mbishkrime “Më së vështiri është ta zgjosh njeriun i cili bëhet sikur fle”, “dora e përgjakur” dhe të ngjashme, ndërsa u dëgjuan brohoritjet “Vuçiç në burg”.

Në anën tjetër, parlamenti studentor i të ashtuquajturit universitet i Prishtinës me seli në Mitrovicë të veriut, ka dalë kundër kësaj proteste.

“Ai që ju mbështet, po na vret. Distancohuni nga Kurti dhe të tjerët që e duan copëtimin e Serbisë” është titulli i ftesës nga ana e këtij parlamenti studentor.

Ndërkaq, 15 persona patën humbur jetën tragjikisht më 1 nëntor të vitit të kaluar pas shembjes së çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad, dhe prej atëherë janë organizuar protesta çdo ditë anembanë Serbisë, duke kërkuar kështu përgjegjësi për rënien e çatisë, ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin ndaj studentëve, si dhe përfundimin e represionit dhe torturave politike të regjimit aktual në Serbi.

Kosova Press