Serbët në Zubin Potok protestuan kundër shkatërrimit të ikonave fetare / Photo: KosovaPress

Qindra serbë nga rajoni i Zubin Potokut dhe më gjerë protestuan sot në shenjë pakënaqësie, siç thanë ata, për shkatërrimin e monumenteve dhe ikonave fetare që kanë ndodhur kohën e fundit nëpër fshatrat e komunës së Zubin Potokut në pjesën veriore të Kosovës.

Ata protestën e filluan para stacionit policor në Zubin Potok, për të vazhduar pastaj në kishën e këtij qyteti. Lideri i “Demokracisë serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, ka thënë për KosovaPress, se ka ardhur sot në mbështetje të qytetarëve të kësaj ane, të cilët po protestojnë kundër përdhosjes së shenjtoreve nëpër fshatrat e Zubin Potokut.

Ai nuk ka akuzuar askënd, duke thënë se ngjarjet e tilla duhet të jenë alarm për Bashkësinë Ndërkombëtare, por edhe institucionet e Kosovës.

Sipas tij, kjo protestë në një formë është edhe presion ndaj organeve policore, për të cilët tha se rastet e tilla duhet t'i ndriçojnë sa më parë.

“Sipas banorëve, më 25 gusht ata kanë dëgjuar fillimisht disa të shtëna me armë, pastaj kanë parë policë me armë të shkurta e të gjata, ndërsa në festën e 21 shtatorit banorët kur kanë shkuar në lutjet e tyre, kanë pasur çfarë të shohin. Ikona të gjuajtura me armë, të hedhura në të gjitha anët dhe përdhosje të shenjtores. Nuk do ta akuzojmë askënd, por kjo është një shenjë që tregon se duhet me kohë të intervenohet”, deklaroi ai.

Njëra nga pjesëmarrëset e protestës së sotme, Vesna Radi, ka treguar se protesta e mbajtur është kundër përdhosjes së shenjtoreve dhe nuk ka të bëjë me policinë.

"Sot jemi mbledhur këtu në lutjet kundër përdhosjes së shenjtoreve në tre fshatra... Kjo protestë nuk ka të bëjë me policinë", tha për KosovaPress Radiq.

Protesta e cila bllokoi vetëm një korsi të magjistrales Zubin Potok-Bërnjak, ka zgjatur rreth 40 minuta dhe nuk është shënuar ndonjë incident, ndërsa është vëzhguar nga afër prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët ishin në numër më të madh se rëndom.

TRT Balkan / agjencitë