Disa qindra nxënës nga tetë shkolla fillore të Prishtinës morën pjesë sot në kremtimin e Ditës Olimpike të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Nxënës të veshur me bluza në ngjyrat e flamurit olimpik janë mbledhur në sheshin "Zahir Pajaziti" për organizimin e një programi kulturor ku më pas në mënyrë simbolike konkurruan në disiplinën atletike, vrapim.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, iu drejtua fëmijëve duke thënë se Dita Olimpike kujton rëndësinë e sportit në promovimin e paqes, unitetit dhe përkushtimit ndaj vlerave të larta njerëzore.
Krasniqi theksoi se Kosova ka qenë pjesë aktive e këtij synimi global për shumë vite.
"Ne jemi krenarë që i bashkohemi komunitetit ndërkombëtar për të festuar këtë ditë dhe për të promovuar frymën e unitetit edhe në vendin tonë. Lëvizja Olimpike e Kosovës ka treguar se përkushtimi ynë ndaj sportit është i palëkundur dhe se ne jemi të vendosur që përmes sportit të krijojmë një të ardhme të ndritur për rininë tonë", tha Krasniqi.
Ai theksoi se sportistët e Kosovës kanë arritur shumë suksese në Lojërat Olimpike, derisa shtoi se gjashtë sportistë kosovarë kanë siguruar pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Verore në Paris, të cilat do të mbahen këtë verë.
Halil Sylejmani nga KOK tha se Dita Olimpike shënon edhe fundin e "Javës Olimpike", e cila filloi më 7 qershor, gjatë së cilës janë mbajtur një sërë aktivitetesh në sporte të ndryshme në 24 komuna të Kosovës.
"Kosova nuk ka pasur të drejtë para disa viteve të marrë pjesë në garat me karakter ndërkombëtar, andaj, ju uroj juve si fëmijë këtë ditë dhe bashkërisht ta festojmë me arsimtarët e juaj për t’u treguar se jemi vërtet olimpik", theksoi Sylejmani.
Medaljen e parë historike, olimpike për Kosovën e fitoi xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro në vitin 2016, ndërsa xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokio në vitin 2020.
Lojërat Olimpike Verore, të cilat organizohen çdo katër vjet, mbahen këtë vit në Paris, kryeqytetin e Francës dhe do të zgjasin nga 26 korriku deri më 11 gusht.
Për sportistët e Kosovës, kjo do të jetë Olimpiada e tretë që nga pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës në anëtarësimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2015.