Në Prishtinë është mbajtur ceremonia e shpalosjes së propozimit fitues për zhvillimin e Master Planit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në kompleksin memorial, "aty ku ruhen gjurmët historike", përkujtohet çmimi dhe rrënjët e lirisë që gëzohen sot.
Kurti tha se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz është vendi më i rëndësishëm i kujtesës kombëtare, duke shtuar se familja Jashari është shembull botëror i flijimit për lirinë.
“Synimi sipëror është që kur ai të ketë përfunduar, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të ketë marrë pamjen dhe trajtën e një peizazhi historik kompleks, në të cilin vizitat do të jenë udhëtime në tërë historinë e Jasharëve të Prekazit, nga gjenealogjia tek strukturat e familjeve, nga tradita e rezistencës tek kultura e patriotizmit, nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri dhe rrethimi i parë i familjes së Shaban Jasharit më 1991, tek themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi Kurti.
Pjesëtari i familjes heroike nga Prekazi, Bekim Jashari, tha se ky plan është i shumëpritur për të parandaluar dëmtimin edhe më të madh të kullave të Jasharëve.
Ai tha se ndërtimi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” është së pari obligim për qindra dhe mijëra vizitorë nga anë e kënd trojet shqiptare që vizitojnë Prekazin.
“Gjithçka që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars 1998 është dëshmi e asaj që ndodhi në Kosovë, krimeve të tmerrshme që bëri regjimi serb mbi popullsinë civile në Kosovë, por edhe dëshmi e vendosmërisë, luftës, sakrificës dhe heroizmit që ndodhi anë e kënd Kosovës në emër të lirisë dhe çlirimit të vendit”, theksoi Jashari.
Ai tha se vendi ku para 26 vjetësh luanin fëmijët e Jasharëve dhe fëmijë tjerë të Prekazit në rrethana pasigurie, është shndërruar sot në një vend ku luajnë fëmijët të sigurt.
Përfaqësues të kompanive që do të kujdesen për realizimin e projektit, i cili përfshin 450 hektarë, prezantuan para të pranishmëve se si do të duken kullat e Jasharëve nën xham të tejdukshëm dhe objektet tjera që do të ndërtohen, sikurse amfiteatër, muze kombëtar, kënde për fëmijë, ekspozita të përhershme dhe hapësira të tjera për vizitorët.
Projekti për zhvillimin e këtij plani, në të cilin do të punojë një ekip ndërkombëtar me përvojë me në krye kompaninë gjermane “Gerber Architekten International”, parashihet të përfundojë 22 muaj pas fillimit të punimeve.