Tensionet në Kosovë, Vuçiq urdhëron gatishmëri të lartë të ushtrisë serbe / Foto: AA

Presidenti i Serbisë njëherësh edhe komandant i përgjithshëm Aleksandar Vuçiq ka nënshkruar urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në nivelin më të lartë dhe i kanë urdhëruar që të lëvizin menjëherë në drejtim të vijës administrative me Kosovën, raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka konfirmuar se Vuçiq ka nënshkruar urdhrin për ngritjen e gatishmërisë luftarake dhe ka shtuar se situata në Kosovë është dramatike.

“Gjithçka që presidenti Vuçiq paralajmëroi me ditë e javë se Prishtina po nxiton më tej në përshkallëzimin dhe zbatimin e terrorit ndaj komunitetit serb, mbi të gjitha në veri të Kosovës, dhe tërhoqi vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar dhe ndërmjetësve në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, fatkeqësisht doli të jetë e vërtetë”, tha Vuçeviq për TV Pink.

Vuçeviq ka theksuar se Ushtria Serbe ka filluar aktivitetet me urdhër të presidentit Vuçiq.

Tensionet në veri të Kosovës vijnë pasi serbët lokalë po tentojnë të pengojnë kryetarët e rinj të komunave të marrin detyrën zyrtare në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ata kanë rrethuar sot komunën e Zveçanit dhe kanë penguar administratën e re të hyjnë në godinën komunale, ndërsa policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për të eliminuar pengesat.

TRT Balkan / agjencitë