Ministria e Ekonomisë e Kosovës dhe Universiteti Columbia në New York të ShBA-së kanë nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit në Qeverinë e Kosovës.
Nëpërmjet Memorandumit të nënshkruar, Universiteti i Columbias do të mbështesë Ministrinë e Ekonomisë në implementimin e suksesshëm të Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 nëpërmjet studimeve e hulumtimeve akademike, përfshirë intervista e takime në terren.
Dy pika të fokusit të hulumtimit e raportit të tyre do të jenë zhvillimi i skemave konkurruese për integrim të burimeve të ripërtëritshme në Kosovë si dhe skemave mbështetëse për rritje të efiçiencës së energjisë.
Aktualisht, grupi i studentëve të universitetit amerikan është duke zhvilluar takime me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë si dhe me të gjithë aktorët relevantë për t'u informuar dhe mbledhur informatat e nevojshme për të zhvilluar hulumtimin e studimin e tyre.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Universiteti i Columbias është një ndër universitetet më prestigjioze në botë dhe programi i këtij universiteti është pranuar ndërkombëtarisht si ndër më të suksesshmit në fushën e politikës publike dhe administratës.
Rizvanolli para profesorëve të këtij universiteti tha se është krenare që ata zgjodhën Kosovën për të bërë projekthulumtimin mbi energjinë.
"Ajo çfarë po bëni ju nuk është vetëm një ushtrim akademik dhe nuk është diçka që po e bëni për vetët tuaja, por ju mund që në fakt të bëni një diferencë dhe mendoj që kjo do të ishte motivim për ju që të punoni edhe më shumë në javët dhe muajt e ardhshëm të mbetur", theksoi Rizvanolli.
Profesori Jenik Radon, i cili specializon në menaxhim strategjik dhe të riskut, sovranitet dhe të drejta të njeriut, veçanërisht mjedisore si dhe transparencë, tha se mundësitë kanë qenë për të zgjedhur disa shtete, por kanë zgjedhur Kosovën për të bërë hulumtimin për shkak të nevojës që ky shtet ka për zhvillim.
"Jemi të nderuar të jemi pjesë e saj dhe shpresojmë që të bëjmë kontribut të vërtetë të cilin ju mund ta përdorni dhe kështu të mundësohet zhvillim i tanishëm dhe për të ardhmen e vendit", theksoi ai.
Më 9 mars të këtij viti në Kuvendin e Kosovës u miratua Strategjia e Energjisë për periudhën 2022-2031.
Ministria e Ekonomisë në qershor të vitit 2022 publikoi Strategjinë për Energji 2022-2031 ku parashikohen investime qindramilionëshe në prodhimin e energjisë nga termocentralet, përkatësisht nga thëngjilli.