16 lloje të personalitetit, cili mendoni se jeni ju?    Foto: AP

Dy studiuesit Myers dhe Briggs janë sinonim i asaj që quhet ‘njohje e thellë e vetes’. Kjo ka ardhur si rezultat i testimit të personalitetit, i cili përmban dhjetëra pyetje që kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën tonë të të jetuarit dhe qasjen tonë ndaj gjërave.

A keni dëshiruar ndonjëherë të njihni veten në nivel më të thellë? Nëse po, studiuesit Myers dhe Briggs kanë përpiluar testin e njohur botërisht të quajtur MBTI – që zbërthehet si Myers & Briggs Testing Indicator.

Pas dhënies së përgjigjeve të sinqerta në këto pyetje, ju do të keni një njohje më të thellë të vetes. Por, jo vetëm kaq, ai rezultat ju ndihmon edhe në orientimin profesional që është më i përshtatshëm për ju, të përzgjedhni partnerin më të përshtatshëm të jetës e të tjera.

Studiuesit në fjalë, pas hulumtimit disavjeçar, kanë ardhur në përfundim se njeriu mund të jetë një nga 16 llojet e personalitetit, edhe atë:

Personaliteti ENFJ (Extraversion - Intuite - Feeling - Judging) – që njihet si DHURUESI

ENFJ-të janë individë të fokusuar te njerëzit. Ata jetojnë në botën e mundësisë për të ndihmuar. Për dallim nga të tjerët, këta posedojnë aftësi të shkëlqyera mbi njerëzit. I kuptojnë dhe kujdesen për ta, si dhe kanë një talent të veçantë në nxjerrjen e më të mirës së tyre. Interesi i vetëm i ENFJ-së në jetë është të dhurojnë dashuri, përkrahje dhe argëtim tek të tjerët. Përgjithësisht përqendrohen në mirëkuptimin, mbështetjen dhe inkurajimin e të tjerëve. Gjithë çka bëjnë ata është për t’i kënaqur të tjerët, nga e cila pastaj përjetojnë kënaqësi personale.

Personaliteti i ENTJ (Extraversion - Intuite - Thinking - Judging) – që njihet si ZBATUESI

ENTJ-të janë liderë të lindur. Ata jetojnë në botën e mundësive, ku të gjitha llojet e sfidave i shohin të kapërcyeshme dhe dëshirojnë që ata të jenë përgjegjësit e vetëm për kalimin e tyre. Ata kanë stimul për udhëheqje, e cila shërbehet mirë nga shkathtësia e tyre për t’i kuptuar ndërlikimet, nga aftësia e tyre për të thithur një sasi të madhe të informacionit objektiv, si dhe gjykimet e tyre të shpejta dhe vendimtare. Ata janë njerëz “që marrin përgjegjësi”.

Personaliteti ENFP (Extraversion - Intuite - Feeling - Perceiving) – që njihet si INSPIRUESI

ENFP-të janë njerëz të ngrohtë, entuziastë, zakonisht shumë të zgjuar dhe plot potencial. Ata jetojnë në botën e mundësive dhe mund të bëhen shumë të pasionuar dhe të entuziazmuar ndaj gjërave. Entuziazmi i tyre u jep atyre mundësinë për t’i inspiruar dhe për t’i motivuar të tjerët, më shumë se ç’i shohim te përsonalitetet e tjera. Ata e duan jetën, duke e parë këtë si një dhuratë të veçantë dhe përpiqen ta nxjerrin më të mirën e saj.

Personaliteti ENTP (Extraversion - Intuite - Thinking - Perceiving) – që njihet si VIZIONARI

ENTP-të janë njerëz të ideve. Aftësia e tyre e mendjemprehtësisë ua mundëson atyre që mundësitë t’i shohin gjithandej. Ata entuziazmohen dhe ngazëllehen mbi idetë e tyre dhe janë në gjendje që entuziazmin e tyre ta përhapin tek të tjerët. Në këtë mënyrë, fitojnë përkrahjen që u nevojitet për ta plotësuar vizionin e tyre.

Personaliteti i ESFJ (Extraversion - Sensing - Feeling - Judging) – që njihet si KUJDESTARI

ESFJ-të janë njerëz të popullit – ata i duan njerëzit. Janë ngrohtësisht të interesuar ndaj të tjerëve. Ata i përdorin karakteristikat e tyre të ndjenjës dhe gjykimit për të grumbulluar informacione specifike dhe të hollësishme për të tjerët dhe këtë informacion e shndërrojnë në gjykime mbështetëse. I duan njerëzit dhe kanë një aftësi të veçantë për të nxjerrë më të mirën tek të tjerët. Janë jashtëzakonisht të mirë në leximin e të tjerëve dhe në të kuptuarit e pikëpamjeve të tyre.

Personaliteti ESFP (Extraversion - Sensing - Feeling - Perceiving) – që njihet si PERFORMUESI

ESFP-të jetojnë në botën e mundësive të njerëzve. Ata i duan njerëzit dhe përvojat e reja. Janë të gjallë dhe të hareshëm dhe u pëlqen të jenë në qendër të vëmendjes. Ata e jetojnë momentin e tanishëm dhe u pëlqen aventura dhe drama në jetë.

Personaliteti ESTJ (Extraversion - Sensing - Thinking - Judging) – që njihet si MBROJTËSI

ESTJ-të jetojnë në një botë të fakteve dhe nevojave konkrete. Ata jetojnë në të tashmen, vazhdimisht syhapur hetojnë mjedisin e tyre personal, për t’u siguruar nëse gjithçka është duke shkuar në mënyrë sistematike dhe pa probleme. I respektojnë traditat dhe ligjet dhe kanë një strukturë të qartë të standardeve dhe besimeve. Të njëjtën e presin edhe prej të tjerëve dhe nuk kanë durim ose mirëkuptim ndaj atyre individë të cilët nuk i vlerësojnë këto sistem sisteme. E vlerësojnë kompetencën dhe efikasitetin dhe u pëlqen të shohin rezultate të shpejta për punën e tyre.

Personaliteti ESTP (Extraversion - Sensing - Thinking - Perceiving) – që njihet si VEPRUESI

ESTP-të janë natyrë dalluese, të dukshëm e të qartë. Entuziastë dhe demonstrativë (të papërmbajtur), ESTP-të janë “veprues” të cilët jetojnë në botën e veprimit (aksionit). Të hapur, të drejtpërdrejtë dhe që i hynë rrezikut. Ata janë të gatshëm t’u futen gjërave dhe t’i zhysin duart. Ata jetojnë në botën reale dhe shumë pak i kushtojnë rëndësi soditjes a teorisë. Ata shikojnë faktet e një situate. Shpejt vendosin se çka duhet të bëjnë, e zbatojnë aksionin dhe vazhdojnë punën tjetër.

Personaliteti INFJ (Introversion - Intuite - Feeling - Judging) – që njihet si RUAJTËSI

INFJ-të janë individë të dashur, miqësorë, kompleksë dhe shumë intuitivë, artistikë dhe kreativë. Ata jetojnë në një botë të pikëpamjeve dhe mundësive të fshehura. Vetëm një përqind e popullsisë ka llojin e personalitetit të INFJ-së, duke u bërë lloji më i rrallë nga të gjithë.

Personaliteti INFP (Introvert – Intuite – Feeling – Perceiving) – që njihet si IDEALISTI

INFP-të, në krahasim me llojet e tjera intuitive janë të fokusuar në atë se si ta bëjnë botën një vend më të mirë. Qëllimi i tyre primar është që ta gjejnë kuptimin e tyre në jetë. Cili është qëllimi i tyre? Si mund t’i shërbejnë njerëzimit në mënyrën më të mirë? Ata janë idealistë dhe perfeksionistë, të cilët punojnë shumë në kërkimin e tyre për arritjen e qëllimeve, me të cilat e kanë indentifikuar veten.

Personaliteti INTJ (Introversion - Intuite - Thinking - Judging) – që njihet si SHKENCËTARI

INTJ-të jetojnë në botën e ideve dhe planifikimeve strategjike. Ata e vlerësojnë inteligjencën, diturinë, kompetencën dhe në mënyrë tipike kanë standarde të larta lidhur me këtë, për të cilat punojnë vazhdimisht që t’i përmbushin. Pak a shumë, të ngjashme me këtë, presin edhe nga të tjerët.

Personaliteti INTP (Introversion - Intuite - Thinking - Perceiving) – që njihet si MENDIMTARI

INTP-të jetojnë në botën e perspektivave, mundësive teorike. Çdo gjë e shohin në aspektin e asaj se si mund të përmirësohet, ose në çka mund të shndërrohet. Ata jetojnë kryesisht brenda mendjes të tyre, duke pasur zotësinë për t’i analizuar problemet e vështira, të identifikojnë modele, struktura dhe të dalin me sqarime logjike. Ata kërkojnë qartësi në gjithçka, ndaj dhe janë të prirur për dije. Ata njihen si “profesorë të zhytur në botën e mendimeve”, të cilët e vlerësojnë lart inteligjencën dhe aftësinë për të futur logjikën në teori, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje.

Personaliteti ISFP (Introversion - Sensing - Feeling - Perceiving) – që njihet si ARTISTI

ISFP-të jetojnë në botën e mundësive senzacionale. Ata janë në harmoni me mënyrën se si duken gjërat, si shijojnë, tingullojnë, ndihen dhe nuhaten ato. Ata kanë një vlerësim të fortë estetik për artin dhe ka gjasa të jenë artistë në njëfarë mënyre, ngase kanë një dhunti të pazakontë në krijimin dhe kompozimin e gjërave, të cilat i prekin thellë ndjenjat. Ata kanë një strukturë të fortë të qëndrimeve, të cilat mundohen t’i plotësojnë në mënyrë të vazhdueshme në jetën e tyre.

Personaliteti ISTJ (Introversion - Sensing - Thinking - Judging) – që njihet si PËRMBUSHËSI I DETYRËS

ISTJ-të janë të qetë dhe të rezervuar, të ndrojtur, të cilëve u intereson siguria dhe jeta e qetë. Ata posedojnë një ndjenjë të brendshme të fortë mbi punën, e cila u jep forcë dhe motivim për të kaluar në detyrë. Të organizuar dhe metodikë në qasjen e tyre, ata përgjithësisht mund të kryejnë me sukses çdo detyrë a përgjegjësi që ndërmarrin.

Personaliteti ISTP (Introversion - Sensing - Thinking Perceiving) – që njihet si MEKANIKU

ISTP-të kanë një shtytje inkurajuese për të kuptuar mënyrën se si funksionojnë gjërat. Janë të mirë në analizat logjike dhe u pëlqen që ato t’i përdorin në çështje praktike. Ata zakonisht kanë kompetenca të arsyes, megjithëse nuk janë të interesuar në teori ose koncepte, nëse nuk shohin ndonjë qasje praktike. Atyre u pëlqen t’i veçojnë gjërat dhe të shohin mënyrën se si punojnë.

Personaliteti ISFJ (Introversion - Sensing - Feeling - Judging) – që njihet si MBARËSHTUESI

ISFJ-të jetojnë në një botë konkrete dhe të mirë. Janë vërtet të ngrohtë e zemërmirë dhe duan të besojnë më të mirën tek të tjerët. E vlerësojnë harmoninë dhe bashkëveprimin dhe janë shumë të ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve. Njerëzit i vlerësojnë ISFJ-të për vëmendjen dhe vetëdijen e tyre dhe aftësinë e tyre për të nxjerrë më të mirën tek të tjerët nga dëshira e tyre e fortë për të besuar më të mirën.

Si ta dimë se cili njeri çfarë personaliteti ka?

Ka dy mënyra për ta zbuluar personalitetin tonë. Mënyra e parë, e parregullt, është duke i lexuar veçoritë e secilit personalitet dhe duke ekzaminuar veten përballë tekstit se a janë të vërteta ato të thëna në atë tekst apo jo.




TRT Balkan