Pyjet e Amazonës     Foto:AA

Miliona hektarë të pyjeve tropikale të Amazonës po zhduken në mënyrë të vazhdueshme në shfrytëzimin e shpejtë të një prej rajoneve më të pasura me drunjtë në botë. Përderisa pyelli ngushtohet gjithnjë e më shumë, ashtu zbulohen edhe detaje të reja për vendin dikur më misterioz, një nga të paktët në planet që ende e gudulis imagjinatën njerëzore.
Kultura perëndimore ka qenë e fiksuar me misteret e Amazonës për shekuj me radhë, me qytetet e humbura dhe mitet për qytetet me thesare të fshehura, të rrënjosura thellë në epokën e kolonizatorëve dhe garën për burime.

Pas pushtimit evropian të territorit të gjerë në Amerikën e Jugut në shekullin e 16-të, popullsia indigjene u shkatërrua pothuajse plotësisht. Dhjetëra mijëra banorë vdesin vetëm nga përhapja e sëmundjeve të kolonëve evropianë dhe pjesa tjetër në betejat e pabarabarta.
Por, nocionet moderne për Amazonën, si një territor pothuajse i pabanueshëm po ndryshojnë gradualisht me prerjet gjithnjë në rritje të pyjeve tropikale, dhe kjo po zbulon sekrete të reja.

Çka “fsheh” civilizimi i humbur?

Hulumtimi i publikuar në revistën shkencore "Nature Communications" zbulon imazhe të detajuara të marra nga sateliti falë teknologjisë LIDAR, e cila i skanon format sipërfaqësore. Një model kompjuterik përdoret për të vlerësuar thellësinë e objekteve të ndërtuara nga njeriu. Analizat në terren të mbi 20 lokacioneve i kanë konfirmuan zbulimet fillestare, gjegjësisht të gjitha pikat janë kthyer në lokacione arkeologjike.

Kështu shkencëtarët arritën në përfundimin se në këtë pjesë të Amazonës me një gjatësi prej gati 2000 kilometrash, dikur lulëzoi një qytetërim, me kultura të ndryshme, që shtrihej nga shekulli i 9-të deri në shekullin e 16-të.

Vlerësohet se në këtë zonë jetonin rreth 1 milion anëtarë të kulturave indigjene. Ata u përhapën në mijëra fshatra, por nuk kishin ndërtesa të forta, kështu që kështjellat e tyre me siguri kanë qenë të ndërtuar me dru dhe materiale organike.

Prandaj, nuk ka shumë mbetje arkeologjike, por janë gjetur qeramika dhe zbukurime fetare. Janë kryer edhe analizat e tokës të cilat zbulojnë se njerëzit merreshin me bujqësi, përveç gjuetisë dhe peshkimit nga burimet e pasura ujore të Amazonës.

Amazona në kontekstin modern

Ky territor, i emëruar nga pushtuesit evropianë përballë rezistencës si nga popullsia mashkullore ashtu edhe nga ajo femërore, sipas mitologjisë greke për gratë luftëtare të Amazonës, është i pasur me burime.
Amazona mbulon pothuajse 6.7 milionë kilometra katrorë, ose pothuajse gjysma e madhësisë së kontinentit evropian. Sot ajo banohet nga më shumë se 9 milionë banorë, territorin e të cilëve e ndajnë disa vende të Amerikës së Jugut, dhe pjesën më të madhe e zë Brazili, e ndjekur nga Peruja dhe Kolumbia.

Pyjet tropikale mbulojnë 90 për qind të këtij territori, ose rreth 5.5 milionë kilometra katrorë. Pavarësisht eksploatimit masiv, Amazonia ende “zë” rreth gjysmën e sipërfaqes së pyjeve tropikale në botë. Këto eko-sisteme unike janë shtëpia e miliarda pemëve dhe kafshëve dhe bimëve të pasura, kështu që shkatërrimi i tyre i mëtejshëm do të shkaktojë pasoja të rënda për jetën në planet.

Terreni i paarritshëm për arkeologët zgjon imagjinatën njerëzore. Kurioziteti për të zbuluar çdo pëllëmbë të tokës çoi në zbulime të mëdha, por edhe luftëra, infeksione dhe lindjen e botës "së re", dhe për "të vjetrin" kanë mbetur vetëm legjenda dhe gjetje arkeologjike.


TRT Balkan