Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me presidentin izraelit, Isaac Herzog, për të diskutuar dhunën e forcave izraelite ndaj myslimanëve palestinezë në xhaminë Al-Aksa.
Presidenti turk i tha homologut izraelit se Türkiye nuk mund të heshtë ndaj provokimeve dhe kërcënimit të status kuo-së së xhamisë Al-Aksa.
"Thirrjet e grupeve radikale hebreje për të bastisur xhaminë Al-Aksa shtuan shqetësimet", tha presidenti turk dhe kërkoi që të merren masat e nevojshme që myslimanët ta falin namazin pa problem.
Erdoğan ka shprehur interesin e Türkiyes të ndihmojë në vendosjen e paqes dhe ndalimin e dhunës.
"Është e nevojshme të parandalohen këto ngjarje që ndodhin çdo Ramazan. Ne jemi të gatshëm të bëjmë përpjekjen tonë për të ndërmarrë hapa drejt vendosjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme", ka thënë presidenti turk gjatë bisedës telefonike.
Presidenti turk ka folur gjithashtu për bombardimet izraelite në rripin e Gazës dhe Liban, pas ngjarjeve që erdhën si rrjedhojë e sulmeve ndaj Al-Aksas.
Gjatë javës, forcat izraelite ushtruan dhunë ndaj besimtarëve myslimanë të cilët falnin namazin në kompleksin e Al-Aksas. U arrestuan dhe u rrahën qindra palestinezë.