“Everything Everywhere All at Once” fitoi shtatë statuja të arta në edicionin e 95-të të çmimeve Oscar, përfshirë çmimin më të rëndësishëm për filmin më të mirë.
Filmi tregon aventurën epike të një emigrante kineze e cila përfshihet pa dëshirë në versione të ndryshme të vetes në universin paralel për të ndaluar dikë që synon të dëmtojë multiversin.
Komedi-drama fantastiko-shkencore pati më së shumti nominime në 95-vjetorin e ndarjes së çmimeve të Akademisë. Ky film mori edhe çmimet e Akademisë për skenarin më të mirë origjinal, regjisorin më të mirë (Daniel Kwan dhe Daniel Scheinert) dhe montazhin më të mirë të filmit.
Ylli i filmit, Michelle Yeoh, fitoi Oscarin për aktoren më të mirë kryesore, ndërsa Jamie Lee Curtis dhe Ke Huy Quan fituan respektivisht çmimet për aktoren më të mirë në rol dytësor dhe aktorin më të mirë dytësor.
Brendan Fraser mori çmimin për aktorin më të mirë kryesor në kategorinë e meshkujve, për “The Whale”, historia për një mësues të anglishtes shumë obez, i cili përpiqet të rilidhet me vajzën e tij adoleshente të larguar.
Filmi gjerman i Luftës së Parë Botërore “All Quiet on the Western Front” gjithashtu pati sukses të jashtëzakonshëm, duke marrë katër Oscar nga nëntë nominimet për filmin më të mirë ndërkombëtar, kinematografinë më të mirë, dizajnin më të mirë të prodhimit dhe këngën më të mirë origjinale.
Women Talking, një histori për gratë e dhunuara të një kolonie të izoluar fetare, fitoi Çmimin e Akademisë për Skenarin më të Mirë të Përshtatur.
Pinocchio i Guillermo del Toro fitoi statujën e artë për filmin më të mirë të animuar.
“Avatar: The Way of Water” fitoi çmimin Oscar për efektet më të mira vizuale dhe “Top Gun: Maverick” fitoi çmimin për Tingullin më të Mirë.
“Black Panther: Wakanda Forever” fitoi statujën e artë për dizajnin më të mirë të kostumeve dhe “The Whale” mori një Oscar të dytë, duke fituar çmimin për grimin më të mirë dhe stilimin e flokëve.
Naatu Naatu nga M.M. Keeravaani dhe Chandrabose fituan Oscarin për këngën më të mirë nga filmi dramatik indian RRR.
Dokumentari më i mirë, nga aktualiteti politik
Çmimin për Filmin më të Mirë Dokumentar e fitoi dokumentari Navalny, në të cilin bëhet fjalë për liderin e opozitës ruse, Alexei Navalny. Aty përshkruhen ngjarjet e lidhura me helmimin e tij.
Çështja e Navalnyt është aktuale në mediat ndërkombëtare për shkak se pas helmimit ai po vuan në burg me shëndet të rënduar, por edhe për shkak të aktualitetit politik lidhur me luftën Rusi-Ukrainë.