Ekipi i serialit më të ri turk "Ninulla Ballkanike"     Foto: AA 

Në ambientet e Kurshumli Hanit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit është mbajtur gala promovimi i episodit të parë të serialit turk "Ninulla Ballkanike", inçizimet e të cilit realizohen në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ndërsa do të shfaqet në televizionin TRT1.

Në gala promovimin e serialit morën pjesë ministrja e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska Stojçevska, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i Bordit Drejtues të TRT-së, Ahmet Albayrak, drejtori gjeneral i TRT-së, Mehmet Zahid Sobacı, artistët dhe ekipi i serialit "Ninulla Ballkanike", si dhe politikanë, deputetë, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Sobacı në fjalën e tij për gazetarët para gala promovimit shprehu kënaqësinë se do ta shikojnë episodin e parë me artistët, mysafirët dhe bashkëatdhetarët e tyre në Shkup, aty ku ndodhë ngjarja. Ai tha se me këtë kanë shtuar edhe një serial tjetër që TRT po realizon jashtë Türkiye-s në mesin e të tjerëve.

Episodi i parë i serialit turk "Ninulla Ballkanike" u promovua në Shkup     Foto: AA

"Si familje e TRT-së, fokusohemi në mënyrë shumë të fuqishme në Ballkan, të cilin e quajmë gjeografia jonë shpirtërore. Ndajmë me publikun projektet dhe punimet tona konkrete të rëndësishme në fushën e gazetarisë dhe produksionit, të cilat i shohim si fushat tona kryesore të veprimtarisë. Dje realizuam promovimin, lançimin e platformës sonë digjitale të lajmeve TRT Balkan. Sot po realizojmë galën e serialit tonë. Prandaj si TRT patëm emocionin të ndajmë me ju dy projekte të rëndësishme këtu dhe t'i realizojmë së bashku brenda dy ditësh. Kjo është si një shenjë e rëndësisë që si TRT i japim gjeografisë sonë shpirtërore", u shpreh Sobacı.

Sipas tij, qoftë shtetasit e vendeve mike dhe vëllazërore në këtë rajon, qoftë bashkëatdhetarët e tyre, tregojnë një interes të madh për serialet, produksionet dhe transmetimet e TRT-së, ndërsa potencoi se me projektin "Ninulla Ballkanike", për të cilin sinqerisht besojnë se do të "pushtojë" zemrat, vazhdojnë ekzistencën e tyre në këtë rajon.

Sobacı theksoi se si TRT në periudhën e fundit ata i kushtojnë rëndësi të madhe diversitetit të prodhimeve të tyre.

Episodi i parë i serialit turk "Ninulla Ballkanike" u promovua në Shkup     Foto: AA

"Përveç dramave të suksesshme historike, ne mund të shohim dhe kuptojmë se sa shumë na intereson ky diversitet temash nga serialet tona televizive që kemi sjellë në ekran kohët e fundit. Në fakt, reflektimi i kësaj perspektive të re është seriali ynë 'Ninulla Ballkanike' dhe besojmë se do të shënojmë shënime shumë udhëzuese dhe kujtuese për marrëdhëniet njerëzore në serialin tonë. Në këtë kontekst, besoj se seriali ynë do të ndiqet me vlerësim të madh qoftë në Türkiye qoftë në Ballkan ose në fushën ndërkombëtare. I prift e mbara", tha Sobacı, duke uruar sa më shumë shikime dhe vlerësime.

Rolet kryesore në këtë serial do t'i kenë aktorët e njohur turk si Erdal Özyağcılar, Özlem Türkad, Emre Bey dhe Merih Öztürk, ndërsa regjisorë të serialit janë Doğan Ümit Karaca dhe Volkan Kapkın. Producentët e serialit janë Yalçın Arı dhe Uğur Uzunok.

AA