“Në Bosnjë mos këndo, në Serbi mos vallëzo, kurse në Maqedoni mos e bëj as njërën, as tjetrën”, thotë një thënie e vjetër popullore që pasqyron më së miri mentalitetin kulturor të popujve të Ballkanit.
Gjatë shekujve, popujt në vendet e rajonit kanë krijuar vlera të qëndrueshme kulturore që janë bërë pjesë e pandashme e identitetit të tyre kulturor.
Muzika popullore tradicionale është pasuruar ndër shekuj me instrumente të ndryshme muzikore që mbeten të njohura edhe sot. Pothuajse për çdo komb ekziston një instrument i caktuar që është bërë simboli i tij kulturor.
TRT Balkan hulumtoi se cilat instrumente muzikore kanë lënë gjurmë në veprat muzikore popullore që interpretohen në raste të ndryshme dhe janë një lloj elementi identitar për një komb të caktuar.
Maqedonasit me gajde, surle dhe daulle
Gajdja, kavalli, surleja, daullja dhe fyelli (shupellka) janë instrumentet muzikore që dominojnë në folklorin maqedonas. Gajdja është një komponent themelor i kulturës muzikore maqedonase, veçanërisht në zonat rurale.
Pa këto instrumente, vështirë se mund të imagjinohet gazmendi. Po aq e rëndësishme është edhe surleja. Në formë të ngjashme apo të njëjtë, përveç Maqedonisë së Veriut, surleja gjendet edhe në vendet fqinje, përfshirë Serbinë, Kosovën, Bullgarinë dhe Greqinë.
Dikur fyelli, tani fizarmonika
Instrumentet e lashta të barinjve si fyelli (frula), gajdja dhe së fundmi fizarmonika, janë ndër më të përdorurat në folklorin serb. Pothuajse nuk ka këngë popullore serbe pa këto instrumente. Madje ka këngë në të cilat fyellit i këndohet si instrument i preferuar.
Çiftelia, instrumenti më i përdorur në folklorin shqiptar
Në folklorin muzikor shqiptar, çiftelia është instrumenti që bie më shumë në sy. Çiftelia është një instrument tradicional shqiptar me tela, që ende luan një rol të rëndësishëm në afirmimin e folklorit muzikor shqiptar.
Popullariteti i këtij instrumenti muzikor tek shqiptarët shihet në faktin se pothuajse çdo shqiptar di të luajë të paktën një këngë në të.
Sevdalinka dhe sazi, pjesë të pandashme të traditës boshnjake
Sevdalinka është një perlë e muzikës tradicionale të Bosnjë dhe Hercegovinës. Me “sevdanë”, boshnjakët pikëllohen e gëzohen. Është një këngë boshnjake, urbane, dashurie, e cila është pjesë e pandashme e identitetit kulturor të boshnjakëve, por edhe e gjithë popujve të tjerë që jetojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Sazi ka qenë instrumenti muzikor dominues dikur në performimin e sevdalinkës, kurse së fundmi, fizarmonika ka zënë një vend të rëndësishëm në muzikën tradicionale boshnjake.
Muzika popullore boshnjake përdor gjithashtu sharkinë, një instrument me tela me qafë të gjatë. Mes tjerash, instrumenti përdoret në muzikën popullore pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Bosnjë dhe Hercegovinën, Serbinë, Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë.
Malazezët kënaqen me tingujt e lahutës
Malazezët njihen për këngët e tyre me lahutë. Në folklorin e tyre tradicional, lahuta mund të quhet “mbreti i instrumenteve”. Lahuta malazeze dhe vallja malazeze janë elementet më të rëndësishme në kulturën e tyre, për të cilat flasin me shumë krenari.
Këngët epike në të cilat ata këndojnë për heronjtë janë të paimagjinueshme pa lahutë. Ndonëse njihet si instrument tipik i malazezëve, ai luhet shpesh në vende të tjera të Ballkanit.
Tamburaja, e pazëvendësueshme mes kroatëve
Si në vendet e tjera të rajonit, instrumente të ngjashme përdoren edhe në folklorin muzikor tradicional kroat. Por në pjesën më të madhe të Kroacisë, tamburaja është një instrument i pazëvendësueshëm në këngët popullore kroate.
Ata përdorin gjithashtu një instrument frymor prej druri të njohur si “sopile”, i cili është i ngjashëm me oboan ose zumaren. Ky instrument është ende i popullarizuar sot në traditën popullore të Istrias.
Shumica e instrumenteve muzikore të përdorura në folklorin muzikor të një populli të caktuar janë të përhapura dhe janë të pranishme në muzikën tradicionale të pothuajse të gjithë popujve të tjerë të Ballkanit.
Karakteristike është se veglat e shumta muzikore në muzikën popullore ballkanike datojnë që nga koha e osmanëve, ndërsa gjatë shekujve instrumentet kanë ndryshuar së bashku me zhanret muzikore për të cilat përdoren.