Cilat vende nga Ballkani prodhojnë biçikleta? / Foto: Reuters

Çiklizmi nxit shëndetin dhe mirëqenien individuale dhe, duke zëvendësuar potencialisht përdorimin e makinave private, kontribuon në reduktimin e ndotjes së ajrit. Është një mënyrë transporti eko-miqësore dhe e ndërgjegjshme për shëndetin.

Një artikull i fundit i zyrës evropiane të statistikës, Eurostat, paraqet shifrat e prodhimit të biçikletave në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022, ndërsa TRT Balkan vështroi edhe numrin e prodhimeve nga vendet e rajonit.

Serbia lider rajonal në prodhimin e biçikletave

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia ka prodhuar më së shumti biçikleta gjatë vitit 2022. Janë raportuar gjithsej 194.304 biçikleta të prodhuara brenda vitit të kaluar në Serbi.

E dyta në rajon vjen Kroacia, me 19.229 biçikleta të prodhuara në një vit.

Në Bosnjë e Hercegovinë janë prodhuar vetëm 177 biçikleta gjatë vitit të kaluar. Megjithatë, rezulton se në Bosnjë e Hercegovinë fabrika e Makinerisë Travnik (GS TMT) ka disa vite që prodhon biçikleta luksoze për partnerin gjerman Ruff Cycles. Çmimet e këtyre biçikletave luksoze fillojnë nga 1.500 euro, ndërsa ka modele arrijnë çmime prej disa mijëra euro.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk prodhojnë biçikleta.

Për Shqipërinë nuk ka të dhëna.

Në Kosovë, nga ana tjetër, funksionon fabrika Albimi LTD në Gjilan, me kapacitet për prodhimin e 27 mijë biçikletave në vit.

Portugalia, Rumania dhe Italia – prodhuesit më të mëdhenj në BE

Në vitin 2022, në Bashkimin Evropian u prodhuan gjithsej 14,7 milionë biçikleta.

Kjo shifër paraqet një rritje prej 10% të prodhimit të biçikletave në krahasim me vitin paraprak (2021) dhe një rritje prej 29% gjatë një dekade nga 2012 në 2022.

Prodhuesi më i madh në vitin 2022 ishte Portugalia (2,7 milionë njësi), e ndjekur nga Rumania (2,6 milionë), Italia (2,5 milionë), Gjermania (1,7 milionë) dhe Polonia (1 milion).

TRT Balkan