Çmimet e prodhimeve bazë në qiell, çfarë ndërmarrin shtetet e rajonit? / Photo: AA

Muajin e kaluar është regjistruar rënie e çmimit të prodhimeve bazë në bursat botërore. Sipas të dhënave nga Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës pranë OKB-së, FAO, Indeksi i Çmimeve të Ushqimit ka rënë për 2,1% në gusht krahasuar me korrikun, Indeksi i Çmimit të Drithërave ka rënë për 0,7%, vaji i bimëve ka rënë për 3,1%, ndërsa prodhimet qumështore për 3%.

Por, pavarësisht stabilizimit të inflacionit dhe rënies së çmimeve në nivel ndërkombëtar, linjat e furnizimit në shumicën e shteteve të Ballkanit vazhdojnë të ngrenë çmimet e prodhimeve bazë.

Prandaj, një pjesë e shteteve të rajonit tashmë kanë vendosur të ndërhyjnë në treg, duke ngrirë çmimet e prodhimeve ushqimore.

“Merrni çmimet e tregut të aksioneve në BE dhe do të shihni indeksin e ndryshimit të çmimeve gjatë një periudhe kohore. Nëse ushqimi në BE është rritur me 11% në çmimet e aksioneve, këtu është rritur me 46%. Nuk është etike”, tha zv/kryeministri për çështje ekonomike i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, gjatë paralajmërimit të masave qeveritare për parandalimin e shtrenjtimeve.

Maqedonia e Veriut ul çmimet për 10% dhe përkohësisht ndalon rritjen

Maqedonia e Veriut paralajmëroi se nga 20 shtatori do të obligojë marketet që të ulin çmimet të mbi 50 produkteve bazë për 10%.

Masa e përkohshme do të vlejë deri më 30 nëntor, ndërsa sipas paralajmërimeve do të merren për bazë çmimet e 1 gushtit.

Autoritetet paralajmëruan inspektime të rrepta dhe dënime drastike për supermarketet të cilat nuk i respektojnë këto masa.

Kroacia kufizon çmimin e prodhimeve bazë dhe energjisë elektrike

Në kuadër të pakos së re të masave për mbrojtjen e familjeve dhe ekonomisë nga rritja e çmimeve, qeveria e Kroacisë kufizoi e 30 produkteve.

Masa, e cila hyn në fuqi nga 18 shtatori, përfshin vajin e lulediellit, qumështin, miellin, sheqerin, pulën e plotë, mishin, kosin, vezët, patatet dhe të tjera.

“Një shportë e plotë e produkteve, çmimet e të cilave tani janë të kufizuara do të kushtonte 99,68 euro në fund të vitit të kaluar, dhe 76,19 euro me çmimet e reja, që është 23,57 për qind më pak, me një kursim prej 23,49 euro”, tha kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.

Kroacia gjithashtu ndaloi rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga 1 tetori dhe për gjashtë muajt e ardhshëm.

Serbia uli çmimet e 20 prodhimeve bazë

Autoritetet serbe morën vendim që nga 13 shtatori, 20 produkte bazë do të kenë çmime 20 deri në 40 për qind më të ulëta, si masë për përballimin e inflacionit.

Ulja e çmimeve do të vlejë për sallamin, jogurtin, qumështin, makaronat, patatet, lëngjet, erëzat, kafen, shampo për fëmijë, detergjent enësh dhe të tjera.

Masa e Qeverisë së Serbisë do të vlejë deri në fund të këtij viti.

TRT Balkan