Tahsin Ertugruloglu, ministri i Jashtëm i Republikës Turke të Qipros Veriore     Foto:TRT World

Çështja e Qipros është një konflikt politik afatgjatë midis qipriotëve turq dhe grekë, dy komunitete të ndryshme etnike dhe fetare që jetojnë në ishullin strategjik në Mesdheun lindor.
Pas dekadash bllokimi politik mbi statusin e ishullit të kontestueshëm dhe popullit të tij, turqit qipriotë nuk besojnë më në zgjidhjen e një shteti, një formulë politike e diktuar nga komuniteti ndërkombëtar që nga viti 1960, kur Republika e Qipros u krijua si një shtet i bashkimit bi-komunal dhe bizonal që përfshin të dyja bashkësitë (bi-communal and bi-zonal union comprising both communities).

“Tentuam me parnteritet. Kjo nuk funksionoi. Pse? Sepse grekët qipriotë nuk mund ta pranonin idenë se turqit qipriotë ishin të barabartë me ta. Kështu formula e republikës partnere u provua dhe dështoi sepse partneri tjetër nuk donte që ajo të funksiononte”, tha Tahsin Ertugruloglu, ministri i Jashtëm i Republikës Turke të Qipros Veriore (RTQV) në një intervistë ekskluzive për TRT World.

“Pra, tani e tutje, ajo që duhet të pranojmë është se nëse nuk mund të jetojmë së bashku, atëherë përgjigja më logjike është të jetojmë si fqinjë. Kështu, e ardhmja, për mendimin tim, dhe në kushte shumë reale, është dy shtete sovrane të barabarta në ishullin e Qipros që jetojnë si fqinjë, shpresojmë me marrëdhënie të mira fqinjësore, por jo një shtet i bashkuar”, tha Ertugruloglu, i cili është një diplomat me përvojë.

Vitet pas 1960 ishin një dekadë kritike për konfliktin pasi tensionet politike midis dy palëve arritën e majën. Pavarësisht agresionit grek nga viti 1960 deri në vitin 1974, turqit qipriotë bënë çmos që komuniteti të funksiononte. Në vitin 1974, Greqia organizoi një grusht shteti ushtarak përmes grekëve qipriotë në një përpjekje për të hequr të drejtën e turqve qipriotë, por Türkiye i parandaloi këto plane me ndërhyrje ushtarake.
Në vitin 1963, tre vjet pas krijimit të Republikës së Qipros, agresioni qipriot grek kundër turqve qipriotë u intensifikua, duke i detyruar komunitetet turke të jetonin në enklava të rrethuara nga milicitë greke.

Përkundër paralajmërimeve të shumta nga turqit qipriotë, as grekët qipriotë dhe as Athina nuk treguan gatishmëri për t'i trajtuar ata si partnerë të barabartë dhe bashkëpronarë të shtetit-ishull. Në fund, pas ndërhyrjes ushtarake në vitin 1974, Ankaraja ruajti praninë e saj ushtarake në rajon, duke pastruar ishullin nga milicitë greke qipriote dhe duke siguruar sigurinë e turqve qipriotë.
Edhe pas vitit 1974, si Türkiye ashtu edhe qipriotët turq vazhduan të negociojnë me Greqinë dhe grekët qipriotë për të rivendosur një partneritet politik. Por, dështimi i vazhdueshëm i komunitetit ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e Qipros bëri që turqit qipriotë në veri të shpallin shtetin e tyre, RTQV-në, në vitin 1983, të njohur vetëm nga Ankaraja. Türkiye dhe qipriotët turq e njohin territorin e kontrolluar nga grekët qipriotë në jug si Administrata Greke e Qipros Jugore.
Një ishull, dy shtete
Nën kokëfortësinë e vazhdueshme greke, e cila refuzon të njohë realitetin turk në ishull, si Türkiye ashtu edhe qipriotët turq nuk e shohin më zgjidhjen e një shteti si rrugën ideale përpara, sipas Ismail Bozkurt, një politikan turk qipriot i cili ishte president i komunitet turk qipriot midis viteve 1973 dhe 1975, një periudhë vendimtare në historinë e ishullit të diskutueshëm.

Ertugruloglu beson se Qiproja mund të ndjekë modelin Haiti-Republika Dominikane. Si Haiti ashtu edhe Republika Domenikane janë dy vende të pavarura të vendosura në të njëjtin ishull në Amerikën Qendrore.
"Pra, realiteti i ishullit të Qipros është, po: një ishull, dy shtete, dy popuj. Dy entitete kombëtare, dy demokraci. Pra, kjo është formula e vetme për të ecur përpara”, thotë ministri i Jashtëm.
“Përndryshe, nëse bashkësia ndërkombëtare përpiqet të na detyrojë në një të ashtuquajtur ‘zgjidhje” apo ‘federatë’ ose sido që ta quajnë ata, një shtet i përbashkët mes qipriotëve turq dhe grekëve qipriotë, kjo është një përpjekje e kotë. Nuk do të funksionojë. Është provuar dhe ka dështuar”, shton ai.

Kreu i diplomacisë beson se OKB-ja, ndër trupat tjerë ndërkombëtarë, prej kohësh zgjodhi të ishte pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes, sepse “gabimisht e diagnostikoi konfliktin e Qipros", duke parë ndërhyrjen turke në 1974 si zanafille të konfliktit.
Edhe pse të gjithë janë dakord se ka pasur një "ndërhyrje ushtarake turke" në vitin 1974, sipas ministrit komuniteti ndërkombëtar ka një problem serioz në pranimin e faktit se ajo u shkaktua nga shkelja e të drejtave politike të qipriotëve turq nga grekët qipriotë.

Çështja e Qipros: një problem statusi

Si për Türkiye ashtu edhe për qipriotët turq, një çështje thelbësore ka qenë gjithmonë heshtja e komunitetit ndërkombëtar në lidhje me refuzimin e grekëve qipriotë për të njohur komunitetin turk të ishullit si partnerin e tyre të barabartë. Një tjetër çështje thelbësore për Ankaranë dhe Lefkosa është njohja nga komuniteti ndërkombëtar i sovranitetit të vetëm të grekëve qipriotë mbi të gjithë ishullin.

Sipas marrëveshjes ndërkombëtare themeluese të Republikës së Qipros, legjitimiteti i shtetit të përbashkët bizonal bazohej në vazhdimin e partneritetit. Por, nëse partneriteti dështon, siç parashihej në marrëveshjen ndërkombëtare, as grekët qipriotë dhe as turqit qipriotë nuk do të kishin të drejtë të pretendonin të gjithë territorin e ishullit.

Megjithatë, që nga viti 1974, grekët qipriotë kanë pretenduar se kanë sovranitet mbi të gjithë ishullin, ndërsa qipriotët turq sundojnë Qipron Veriore. Ertugruloglu beson se për dallim nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 1960, komuniteti ndërkombëtar i njeh grekët qipriotë që kanë të drejtën ligjore sovrane për të sunduar të gjithë ishullin, që është një shkelje kritike e dokumentit themelues të shtetit ishull.

Duke njohur vetëm sovranitetin grek qipriot mbi të gjithë ishullin, komuniteti ndërkombëtar po praktikon njëanshmëri të padrejtë, duke e bërë të qartë se ata i shohin grekët qipriotë si " më të barabartë" me qipriotët turq, sipas ministrit të jashtëm të RTQV-së.

Nuk është ishull helen
Një nga arsyet kryesore për çështjen e Qipros bazohet në ëndrrat e Megali Idesë greke, një koncept politik që synon të integrojë të ashtuquajturat vende helene me Greqinë. Që nga Revolta Greke e 1821 kundër Perandorisë Osmane, Athina ka kërkuar të zgjerojë territoret e saj edhe në detin Egje dhe Mesdhe.
"Ekziston një obsesion për të trajtuar ishullin e Qipros sikur të ishte një ishull helen me të cilin turqit qipriotë nuk janë të barabartë," tha Ertugruloglu.

“Türkiye kurrë, kurrë nuk do të lejojë që ky ishull të jetë një ishull helen”, tha ministri, duke nënvizuar se ishulli ka qenë nën sundimin osman për më shumë se tre shekuj.
"Turqit qipriotë nuk kanë qenë kurrë një komunitet i Greqisë në historinë e tyre”, tha ai
“Ne nuk erdhëm në këtë ishull nga hëna. Të parët tanë erdhën këtu nga Anadolli. Ne jemi turq që jetojmë në ishullin e Qipros. Nuk ka popull që quhet qipriotë. Ju jeni ose një grek qipriot ose një turk qipriot ose një nga minoritetet, armenë ose maronitë”, tha Ertugruloglu.


TRT World