Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka bërë të ditur se do të kryejë stërvitje të përbashkëta me njësitin rezervë prej 300 trupave nga Regjimenti Mbretëror 'Yorkshire' i Britanisë së Madhe.
Sipas KFOR-it, stërvitjet e përbashkëta me kontingjentin britanik, i cili do të qëndrojë përkohësisht në Kosovë, do të fillojnë nga sot dhe do të zgjasin deri në fund të muajit tetor.
Synimi i stërvitjeve, sipas njoftimit, është testimi i procedurave ekzistuese për zbarkimin e trupave shtesë dhe integrimin e tyre brenda misionit të KFOR-it.
"Stërvitja përkrah gatishmërinë e KFOR-it për të reaguar ndaj zhvillimeve relevante të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i vazhdueshëm i mandatit tonë të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuuar në një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në gjithë kohën dhe në mënyrë të paanshme”, njofton KFOR-i.
Në njoftim po ashtu theksohet se pas përfundimit të stërvitjeve kontingjenti do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.
Sa u përket masave për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rezultat i lëvizjeve të personelit ushtarak dhe automjeteve para dhe gjatë stërvitjeve, KFOR-i shton se do të marrë të gjitha masat e nevojshme.