Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet për qëllimet e mbrojtjes të Kosovës. Kurse, fshati Babaj i Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kështu njoftuan ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një konferencë të përbashkët. Ministri Mehaj tha se qëllimi është zhvillimi dhe avancimi i ushtrisë së Kosovës që mundëson integrimin më të shpejtë në NATO.
“Poligonet taktike të Babaj të Bokës do të jenë poligone moderne të dizajnuara nga oficerët dhe nënoficerët tanë kompetentë, të cilat do të ndërtohen sipas standardeve të partnerëve tanë amerikane por edhe të NATO-s...këto poligone taktike do të jenë në funksion jo vetëm për ushtrinë e Kosovës, por edhe për gjithë partnerët strategjikë. Ndërsa, Aeroporti i Gjakovës, planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës, në të cilin do të projekt në mënyrë direkte do të investohet edhe nga partnerët tanë strategjikë në krye me ShBA-në”, tha ai.
Kurse, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu theksoi se ministria që drejton ka marrë përsipër dhe ka kryer shpronësimin e pronave të paluajtshme në Babaj të Bokës dhe në Aeroport të Gjakovës.
“Pagesat janë kryer gjatë vitit 2022-2023 për të dyja projektet. Pagesat janë kryer në shumën 9,4 milionë euro....pothuaj të gjitha pronat e shpronësuara tashmë janë bartur në emër të Republikës së Kosovës dhe besoj që edhe në ditët në vijim nëse ka mbetur ndonjë do të kryhen të gjitha“, tha ai.
Të dy ministrat thanë se po vazhdojnë bashkëpunimin me qëllim që të gjejnë baza të reja për nevojat e FSK-së edhe në të ardhmen.