Gjashtë kushte duhet plotësuar që Kosova të themelojë Asociacionin të nënshkruar më 19 prill të vitit 2013 në Bruksel. Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij para deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se mund të zbatohet pas marrëveshjes finale.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik ose ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje, kreu 5”, tha Kurti.
Ai më pas kërkoi që të drejtat e pakicave të bëhen në parimin e reciprocitetit, duke nënkuptuar këtu që çfarëdo e drejte e serbëve në Kosovë të jetë edhe për shqiptarët në Serbi.
“Të drejtat e pakicave kombëtare, dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, tha Kurti duke numëruar kushtin e tretë.
Po ashtu, si kusht përmendi shuarjen e strukturave ilegale në veri dhe Serbia të pranojë kartën e OKB-së për raportet ndërshtetërore si dhe të mos pengojë aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Shuarja e strukturave ilegale në veri
“Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi t'i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës”, tha Kurti.
Si kusht të fundit, Kurti tha se presidenti i Serbisë duhet të tërheqë letrat e dërguara të pesë shtete anëtare të BE dhe tek të tjerat për mospranimin e aplikimin të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2019.
Po ashtu, kryeministri kërkoi nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që të ftojë në takime të shpeshta e të rregullta për të arritur marrëveshjen finale.
Duke përmendur planin franko-gjerman, apo të BE-së, Kurti përsëriti se është bazë e mirë për të vijuar diskutimet.
Borrell të organizojë takime të shpeshta e të rregullta
“Këtë propozim e shohim si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe jemi të interesuar të punojmë sa më intensivisht që ai të finalizohet dhe të nënshkruhet nga palët. Andaj, kërkojmë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, z. Joseph Borrell, që sa më parë të ftojë në takime të rregullta e të shpeshta në mënyrë që të avancojmë drejt finalizimit. Unë si gjithnjë deri më tani jam i gatshëm që me konstruktivitetin maksimal të kontribuoj në gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme dhe po ashtu të sigurohemi për mekanizma që garantojnë implementim të plotë të saj”, tha Kurti.
Kurti tha se çfarëdo tentative që nene të caktuara të marrëveshjes bazike të këtij plani të nxirren dhe të promovohen si nene ekskluzive, apo parakushte për ecje përpara, janë sa të pakuptimta, aq edhe joproduktive.