Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një deklaratë për media, ka thënë se çështja e dinarit serb ka ndikuar në partneritetin mes ShBA-së dhe Kosovës.
Hovenier tha se ShBA-ja ka shqetësime domethënëse për Rregulloren e re të BQK-së, e cila e pranon euron si valutën e vetme të vlefshme për operim.
Duke u bërë jehonë fjalëve të ndihmëssekretarit të Shtetit, James O’Brien, ambasadori Hovenier tha se ai shprehu keqardhje që Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesës së ShBA-së për shtyrjen e zbatimit të Rregullores së BQK-së e cila e ndikon valutën të cilën e përdorin ende serbët e Kosovës.
“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, ka deklaruar Hovenier.
Hovenier ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe shtoi se pret që të dyja palët të jenë konstruktive në zgjidhje.
“Gjatë kësaj periudhe duhet lejuar që Serbia t’i paguajë serbët, përfshirë pensionet, punonjësit e sistemit shëndetësor e të tjera. Nuk kam parë përpjekje që kjo të bëhet e mundur”, ka deklaruar Hovenier.
Ambasadori amerikan ka thënë se nuk i sfidojnë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, por kanë kërkuar që Rregullorja e re e BQK-së të shtyhet.
“Nuk i sfidojmë institucionet e Kosovës për të rregulluar sektorin financiar, nuk sfidojmë institucionet e Kosovës që të ulin rrezikun e pastrimit të parave ose financimin e grupeve terroriste, nuk i sfidojmë institucionet e Kosovës ose BQK-në, por ne vazhdimisht po kërkojmë që të shtyhet zbatimi i Rregullores për një periudhë tranzicioni”, ka shtuar ai.
I pyetur se a është prekur partneriteti ShBA-Kosova për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së Rregullores së BQK-së, kryeministri Albin Kurti mohoi të mërkurën një gjë të tillë.
Nga 1 shkurti 2024 hyri në fuqi Rregullorja e re e BQK-së, e cila e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, gjë e cila nxiti reagimin e ndërkombëtarëve veçanërisht ShBA-së, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi.
Qeveria e Kosovës tha se për komunat me shumicë serbe ku ende përdoret dinari nuk do të ketë menjëherë ndëshkime, por do të konsumohet një fazë tranzitore për “edukim dhe informim” të bizneseve dhe qytetarëve nga komuniteti serb.