Ambasadori turk viziton Universitetin "Aleksandër Moisiu" në Durrës / Photo: AA

Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ka vizituar universitetin e dytë më të madh në Shqipëri, Universitetin "Aleksandër Moisiu" në Durrës, ku është takuar me Rektorin e universitetit, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi.

Sipas një njoftimi nga ambasada turke, në vizitë ambasadorin Atay e ka shoqëruar edhe atasheu i Arsimit pranë Ambasadës turke në Tiranë, Metin Bulut dhe koordinatori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu.

Atay dhe Fortuzi në takimin e tyre trajtuan zhvillimin e mundësive të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve.

Palët në takim shkëmbyen se çfarë mund të bëhet për të krijuar lidhje midis studentëve të Fakultetit të Administrimit të Biznesit pranë universitetit dhe komunitetit turk të biznesit dhe investimeve në Shqipëri.

"Në këtë kuadër, ambasadori Atay u shpreh se Dega MÜSİAD Shqipëri, që u hap vitin e kaluar, mund të vlerësojë mundësitë e bashkëpunimit me administratën e universitetit. Ambasadori Atay nënvizoi gjithashtu se Türkiye, e cila ka dhënë një kontribut të madh në krijimin e vendeve të punës me investimet e saj të shquara në Shqipëri dhe në këtë mënyrë ka ndihmuar në ruajtjen e fuqisë punëtore të kualifikuar, që është e prirur për migrim, brenda vendit, do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e Shqipërisë", thuhet në njoftim.

Ambasadori Atay gjithashtu në kuadër të vizitës së tij mbajti një fjalim në konferencën e titulluar "Roli i Diplomacisë Ekonomike në Marrëdhëniet Dypalëshe Türkiye-Shqipëri", organizuar me pjesëmarrjen e studentëve të fakulteteve të Administrimit të Biznesit si dhe të Shkencave Politike dhe Juridikut.

AA