Një jetë larg tokës së paraardhësve të tij, megjithatë kjo nuk e ka penguar Xhelalin nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut për ta ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.
Xhelal Ballkan, një zejtar i arit, i vendosur në Istanbul, rrëfehet për jetën e tij si një shqiptar në Türkiye.
‘’Türkiye, vendi që kemi lindur, themi e kemi vatan, ama Shqipëria është historia jonë, gjaku jonë, mëmëdheu jonë’’, tha Xhelali për TRT Balkan.
Shqiptari me prejardhje nga Kumanova, i cili ka lindur dhe është rritur në Türkiye, flet pastër shqipen dhe thotë që një pjesë të madhe të familjes së tij i ka të shpërndarë në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, si edhe ka plot miq edhe nga Shqipëria.
Xhelali u shpreh se për shkak të Luftës së Dytë Botërore, familja e tij u detyrua të shpërngulej në Türkiye në 1960.
“Shumica e familjes sonë kanë humbur, madje varret nuk i dimë ku janë”, tha ai, duke theksuar se dhuna dhe përndjekja kanë qenë të shumta ndaj familjarëve të tij.
Duke treguar plot mall dhe krenari për prejardhjen e tij, zejtari nga Kumanova rrëfeu se si ai, së bashku me të vëllanë, Erolin, gjatë kohës që ishin studentë, vendosën të ndërtonin një biznes të vogël, ku me kalimin e viteve, ky biznes u rrit dhe sot vëllezërit njihen si zejtarë të aftë të arit, me emrin e tyre që ka depërtuar edhe në Ballkan.
Por, puna nuk është i vetmi angazhim i Xhelalit. Ai është aktiv në shoqata kulturore që synojnë ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare në diasporë. Një nga nismat kryesore që ka ndërmarrë është organizimi i kurseve të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Türkiye, si dhe kurse vallëzimi për t’i njohur të rinjtë me këngët dhe vallet tradicionale.
“Kur ka nisur lufta e Kosovës, me anë të këtyre shoqatave, me sa kemi mundur kemi ndihmuar invalidët e luftës, i kemi dalë zot, i kemi dërguar nëpër spitale. Ne gjithë Shqiptarinë e quajmë vëlla, një gjak jemi, një histori kemi, për atë arsye çfarë kemi pasur në dorë, çfarë kemi mundur e kemi bërë“, shtoi ai.
“Lagjja jonë quhet Lagjja e Shqiptarëve. Pesë mijë banorë janë shqiptarë atje. Atje folim shqip, nëpër kafene flitet shqip. Themi vajzë marrim, vajzë japim nëpërmjet njëri tjetrit më shumë”, tregoi shqiptari nga Kumanova.
Festat kombëtare, si Pavarësia e Shqipërisë dhe e Kosovës, janë gjithashtu një moment i rëndësishëm për komunitetin. “Organizojmë programe, kërcime dhe festa me diasporën, duke e ruajtur ndjenjën e bashkësisë shqiptare,” thotë Xhelali.
Me dashuri për vendlindjen dhe shpresë për të ardhmen, ai shtoi: “InshaAllah, Shqipëria rritet, pasurohet dhe merr një status të merituar në Evropë. Shpresojmë që marrëdhëniet me Türkiyen të mbeten gjithherë miq, siç kanë qenë.”