Që nga fillimi i procesit më 5 prill, e deri më tani (21.04.2024), mbi gjysmë milioni qytetarë në Republikën e Kosovës janë regjistruar në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i cili vazhdon të vijojë.
Kryetari i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, në një konferencë për media në qendrën e ASK-së në Prishtinë, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë dhe vendbanimeve po vijon sipas parashikimeve.
Ai tha se nëse vazhdon një dinamikë e tillë e procesit të regjistrimit, do të kryhet ky proces sipas parashikimeve, më 17 maj. "Deri dje, janë regjistruar mbi 530 mijë njerëz në Kosovë si dhe mbi 36 për qind e objekteve. Aktivitetet e tjera mbështetëse edhe nga qendra e ASK-së këtu, janë sipas planit të deritanishëm", theksoi Kastrati.
Sa i përket këtij procesi në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Kastrati tha se edhe komuniteti serb po merr pjesë në këtë proces, megjithëse, jo në masën sikurse në komunat e tjera.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Liza Gashi, tha se si MPJD po i informojnë edhe pjesëtarët e diasporës për rëndësinë e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë.
"Janë dy mënyra se si qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit mund të regjistrohen. Është formulari onlajn, i cili është risi në kuadër të këtij regjistrimi për herë të parë në Republikën e Kosovës, si dhe është forma fizike që familjarët e tyre mund ta mbushin në kuadër të regjistrimit. Deri më tani kemi 180 mijë pjesëtarë të diasporës që janë regjistruar në kuadër të regjistrimit të popullsisë", theksoi Gashi.
Buxheti për regjistrimin e popullsisë do të kushtojë rreth 12,6 milionë euro, ndërsa financuesi kryesor është Qeveria e Kosovës, por ka edhe ndihma ndërkombëtare.
Informacionet e mbledhura gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejnë si bazë për vendimmarrje kritike, që prekin çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave si dhe do t'u dërgohen edhe Zyrës së Statistikave në Bashkimin Evropian – EUROSTAT.
Gjithashtu, në mesin e pyetësorëve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë procesit të regjistrimit është edhe ai për dëmet nga lufta në ekonomitë familjare, ku të dhënat që do të mblidhen në këtë kontekst, do të shërbejnë vetëm si kornizë orientuese për institucionet e Kosovës.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë u llogarit të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Këtë vit, për ata të cilët nuk pranojnë t'i nënshtrohen procesit të regjistrimit janë paraparë dënime deri në 2 mijë euro.