Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe UNFPA-Kosovo kanë mbajtur debatin “Kuvendim: Migrimi – Për ndërmarrësit sukses, për shtetin progres”. Kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha, tha se emigrimi është sfidë botërore, ku miliona njerëz në botë lëvizin për arsye të ndryshme sociale, politike e kulturore.
Ai tha se në vitin 2022, rreth 1 milion banorë në botë lëvizën nga vendet e tyre për arsye të persekutimit politik, shkeljes së të drejtave të njeriut apo edhe nga diktaturat ekstreme.
Berisha tha se Kosovën kjo dukuri e ka përcjellë me dekada të tëra, përderisa para luftës emigrimi është bërë nga faktorët e persekutimeve politike, kurse pas luftës së vitit 1999 ishin faktorët socio-ekonomikë.
“Në bazë të vlerësimeve të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2021 Kosova kishte bilanc negativ për 38 mijë e 606 njerëz: përderisa nivelet ose numri i të ardhurve nga jashtë ishte 4 mijë e 221 njerëz, nga Kosova dolën 42 mijë e 728 njerëz”, theksoi Berisha.
Ai tha se ana pozitive e emigrimit të kosovarëve është lidhja e qytetarëve kosovarë me vendlindjen e tyre edhe pasi janë vendosur në shtetet e ndryshme evropiane dhe investimet që ata sjellin në Kosovë me mbi 1 miliardë euro në vit në Kosovë.
Visare Mujko Nimani nga UNFPA-Kosovo tha se çdo vit e më shumë po shihet rritja e emigrimit të qytetarëve kosovarë, duke filluar nga mjekët dhe profilet e tjera profesionale.
Nimani tha se për parandalimin e emigrimit duhet të ndryshohen disa politika sociale në Kosovë, sidomos për gratë.
“Më shumë se gjysma e popullsisë, gjegjësisht te gratë, kemi një numër të madh të papunësisë dhe që mendojmë që potenciali i gjysmës së popullsisë nuk po shfrytëzohet dhe mendojmë që çështja e punësimit të grave duhet të trajtohet më seriozisht. Mundësimi i orarit më fleksibil të punës, pastaj politikat për çerdhe, për kujdes edhe të fëmijëve, por edhe të moshuarve barrën e të cilëve e kanë më së shumti gruaja në familjet tona”, theksoi Nimani.
Në këtë debat u përmend se arsye të emigrimit mund të jenë shtytëse dhe tërheqëse. Faktorët shtytës mund të jenë arsyet ekonomike, shëndetësore etj., ndërsa faktorët tërheqës u tha se janë më dominantë dhe janë ato vendet ku njerëzit mendojnë se është jetesa më e mirë.
Sipas shifrave zyrtare të shpalosura në këtë debat, u tha se numri i kosovarëve që kanë lindur në Kosovë dhe të cilët jetojnë jashtë vendit nga viti 1948 deri në vitin 2022 është mbi 1 milion.