Barrikadë në territorin e Serbisë, mbyllet pika kufitare Merdare.     Foto: AA

Për shkak të bllokimit të rrugës në Serbi, pika kufitare ”Merdarë” është mbyllur për qarkullim, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Në orët e vona të mbrëmjes së datës 27.12.2022, bazuar në informacionet e siguruara, nga persona të dyshuar është bllokuar rruga në territorin e Serbisë që e lidh me Republikën e Kosovës”, thotë Policia e Kosovës.

Bllokimi rrugës sipas të dhënave të policisë është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdarë” e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim.

“Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare “Jarinjë”, ”Bërnjak” dhe “Merdarë””, informojnë Policia e Kosovës.

TRT Balkan