BE-ja dhe QUINT-i reagojnë pasi Kosova ndaloi hyrjen e patriarkut serb       / Foto: AA

Shtetet anëtare të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos u lejohet vizita në Kosovë patriarkut serb Porfirije dhe peshkopëve tjerë për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe ShBA-së, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos u lejohet hyrja në Kosovë patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopëve të tij përcjellës, që të marrin pjesë në fillimin ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodës së Patriarkanës së Pejës”, thuhet në njoftim.

Sipas reagimit të vendeve të QUINT-it dhe BE-së, vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, që qartë përshkruajnë të drejtat, privilegjet, imunitetet e klerit të Kishës Ortodokse Serbe dhe nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës të marra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Në reagim thuhet se pritet nga Qeveria e Kosovës që “të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut si në kornizën e saj ligjore ashtu edhe me veprimet e saja. Po ashtu palëve u është bërë thirrje të frenohen nga veprimet e retorikat që mund të nxisin tensionet”.

QUINT-i dhe BE-ja tha se Qeveria duhet të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe të mbajë vlerat dhe përgjegjësitë e saj themelore ndaj stabilitetit rajonal.

Dje Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJD) ka thënë se derisa Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit, nuk do të lejohen vizita të tilla.

“Përderisa Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana jonë”, shkroi MPJD-ja në reagim.

TRT Balkan / agjencitë