Përfaqësues të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri kanë deklaruar të hënën se progresi i vogël në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk është dështim i përfaqësuesit special për dialogun, në këtë rast i Mirosllav Lajçak, por është dështim i palëve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media theksoi se emisari Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë përkrahjen e plotë të shteteve anëtare sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Ai tha se nëse palët nuk duan të lëvizin në rrugën drejt BE-s, atëherë askush nuk mund t’i detyrojë ata.
“Çfarë gjëra kemi mësuar? Ka një mësim shumë të qartë, se nëse palët nuk janë të gatshme të lëvizin, sigurisht që askush nuk do të jetë në gjendje t'i detyrojë ato. Roli ynë si lehtësues i BE-së në dialogun e Beogradi-Prishtinë është t'i lehtësojmë, t'i ndihmojmë ata të bëhen evropianë, t'i ndihmojmë ata të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që ata nuk ishin në gjendje ta bënin deri më tani dhe të ecnin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimeve të perceptuara apo të supozuara të BE-së si lehtësues, është për shkak të dështimit të tyre për bërë pjesën e tyre”, theksoi ai.
Më tej, Stano shtoi se nuk është e saktë të thuhet se ka dështim për faktin se palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit.
“Pra, sigurisht që nuk është e vërtetë të paraqesim rezultatet e pakta të deritanishme si një dështim të zotrit Lajçak. Ai bëri më të mirën në emër të Përfaqësuesit të Lartë, në emër të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e plotë të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk është faktikisht e saktë të thuhet se ka dështuar për të arritur diçka sepse ishin të dyja palët që nuk e kanë caktuar marrëveshjen e Ohrit.
Siç thotë ai më tutje: “Sërish, me herë të panumërta e kemi shpjeguar se asnjëherë nuk ka qenë çështje nënshkrimi për ne, kjo marrëveshje është ligjërisht e detyrueshme dhe nuk ka shprehje më të mirë të faktit se meqë është ligjërisht e detyrueshme ajo u bë pjesë integrale e pjesës së anëtarësimit të të dyjave, të Serbisë dhe Kosovës, kështu që nëse nuk ka lëvizje në zbatimi, palët po dëmtojnë veten, të ardhmen e tyre evropiane dhe përfitimet nga të cilat qytetarët e tyre do të mund të korrin nga ecja përpara dhe avancimi i dialogut. Kështu që, ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një rol të mandatuar ndërkombëtarisht në këtë. Përfaqësuesi i Lartë është lehtësuesi dhe ai do të vazhdojë, qoftë nëse do të quhet Joseph Borrel ose kushdo tjetër që do të vijë”.