Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për shtyp ka folur mbi Marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, kjo marrëveshje paraqet obligim politik për Prishtinën dhe Beogradin mbi zbatimin e pikave për të cilat janë dakorduar. Këtë sipas tij e presin edhe vendet anëtare të BE-së dhe institucionet evropiane.
“Është një detyrim politik i të dyja palëve, ato janë zotuar të zbatojnë të gjitha pikat pa përzgjedhje, dhe reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e të dyja palëve është në rrezik këtu nëse vendosin të mos zbatojnë dhe përmbushin detyrimet e tyre”, tha Stano.
I pyetur nga një gazetar shqiptar për fatin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia do të zbatojë disa pjesë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e jo të tjerat, Stano u përgjigj se ai nuk do t'i komentonte vërejtjet pa kontekstin e plotë, por se të dyja palët ranë dakord në Ohër që menjëherë të fillonin zbatimin e të gjitha pikave të marrëveshjes, përfshirë aneksin.
“Në fund të muajit të kaluar, Komisari Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, ishte shumë i qartë se Kosova dhe Serbia, siç shkruhet në marrëveshje, duhet të zbatojnë atë për të cilën janë pajtuar”, tha Stano.
Ai shpjegoi se të gjitha pikat e marrëveshjes dhe aneksit do të jenë në kapitullin e 35-të për negociatat, që do të thotë se Serbia është e obliguar t'i zbatojë pikat e marrëveshjes dhe aneksit nëse dëshiron të përparojë në procesin e anëtarësimit në BE.
Siç thotë më tutje Stano për Serbinë, se nëse përkushtohen për diçka politike, pritet që ta përmbushin atë dhe të mos vihet në dyshim besueshmëria e tyre dhe procesi i anëtarësimit në BE.
“Serbia ka marrë një angazhim kontraktual nëpërmjet ndryshimeve në kapitullin 35 që do të japë, nëse jo, do të ketë ndikim në procesin e anëtarësimit në BE, që është një nga prioritetet e vendit”, përfundoi Stano dhe tha se mungesa e zbatimi mund të çojë në pasoja politike dhe financiare, si dhe pasoja për besueshmërinë.