Përfaqësuesi i lartë për Bosnjë e Hercegovinën, Christian Schmid, nëpërmjet një letre të posaçme i ka paralajmëruar drejtuesit e Republika Sërpskës, se plani i tyre për shënimin e 9-vjetorit si ditë të atij etniteti është në kundërshtim më ligjin dhe ndërtimin e besueshmërisë në shtet.
Më 9 janar, autoritetet e Republika Sërpskës planifikojnë të organizojnë një festë të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës e shpalli jokushtetuese në dy raste, dhe këtë vit ata synojnë ta bëjnë këtë me një akademi festive në Banja Llukë dhe një paradë në Sarajevën Lindore.
Në letrën që ka dërguar, ndër të tjerash, në adresat e kryetares së Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, dhe presidentit të RS-së, Millorad Dodik, Schmidt theksoi se festat duhet t'i bashkojnë njerëzit dhe jo të nxisin përçarje mes tyre.
“Respektimi i rendit kushtetues të vendit dhe kontributi në një shoqëri të bazuar në vlerat evropiane janë gurthemeli i paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe progresit në Bosnjë e Hercegovinë”, ka shkruar Schmidt, duke kujtuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen.
Ajo gjykatë më parë gjykoi se 9 janari është antikushtetuese si festë dhe ofendon ndjenjat e kroatëve dhe të boshnjakëve në Republika Sërpskës, sepse shënon datën e vitit 1992, kur, në kundërshtim me rregullimet kushtetuese të asaj kohe, një krijim i quajtur "Republika Serbe e BeH” u shpall në mënyrë të njëanshme, që ishte hyrje në luftë.
Njoftimi i përkujtimit të këtij viti më 9 janar shkaktoi një reagim të ashpër në Sarajevë, kështu që të mërkurën drejtuesit e shoqatave të ndryshme boshnjake u takuan dhe i kërkuan Schmidtit që të sigurojë respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH, por gjithashtu kërcënuan se do të "vetorganizojnë" anëtarët e tyre.
Ditë më parë presidenti i Republika Sërpskës, Millorad Dodik, tha se 9-të janari është ditë festa të cilën e mbështesin qytetarët. "A e mbështesin festën turistët siç është Schmid, neve nuk na intereson. Ne vendimin e kemi sjellë, 9-të janari nuk do të ndryshohet, ata mund të bëjnë çfarë të dojnë ne do ta shënojmë ditën e republikës", tha Dodik.
Kreu i shoqatës së veteranëve "Beretat e Gjelbra", Muhamed Švrakiq, shpjegoi se po i kërkojnë MPB-së së Federatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe Policisë së Qarkut të Sarajevës që nga 7 deri më 9 janar të vendosin postblloqe në afrimet drejt Sarajevës dhe në këtë mënyrë të parandalojnë personat që mund të konsiderohen ekstremistë.
"Nëse policia nuk e bën këtë, ne do t'u bëjmë thirrje anëtarëve tanë që të vetorganizohen dhe ta parandalojnë atë”, tha Švrakić.
Gjatë dy viteve të kaluara në qytetin e Banja Llukës në BeH janë organizuar parada policore ku kanë defiluar njësitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republika Sërpskës.
Në njërën prej tyre janë kënduar edhe kënge për Betejën e Kosharës, nga lufta e fundit në Kosovë.