Belgjika: Kosova duhet të jetë anëtare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.   / Foto: AA

Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO ka zhvilluar takim me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Kryetari i delegacionit të Kosovës, deputeti Driton Hyseni tha se takimi me delegacionin belg ishte kuptimplotë dhe se delegacioni belg u njoftua me punën e institucioneve të Kosovës dhe situatën politike në Kosovë si dhe ndikimin e politikave në Ballkanin Perëndimor.

Hyseni tha se delegacioni i Parlamentit belg është njoftuar për aspiratat për të përmirësuar rolin e delegacionit të Kosovës në mekanizmat e NATO-s.

"Jemi shumë të nderuar dhe të kënaqur me këtë vizitë, si dhe me mbështetjen e dhënë nga delegacioni belg dhe shteti i Belgjikës prej vitesh për Kosovën, veçanërisht në proceset integruese euroatlantike. Kudo që Kosova ka pasur mundësi të hyjë në agjendën e institucioneve evropiane, Belgjika ka qenë me Kosovën", tha Hyseni.

Kryesuesi i delegacionit belg në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Theo Francken tha se Belgjika që në ditën e parë e ka mbështetur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe integritetin e saj territorial.

Ai vlerësoi se Kosova duhet të jetë anëtare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

"Kosova mund dhe duhet të jetë anëtare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara drejt integrimit. Asambleja e Parlamentit është një vend ku është shumë e rëndësishme të diskutohet për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, i cili mbetet ndër prioritetet tona. Me pushtimin e Ukrainës nga Rusia shohim që ana lindore vazhdon të jetë jostabile, në presion dhe është përgjegjësi e jona si Evropë Perëndimore t’i përkrahim evropianët që jetojnë në anën lindore të kontinentit. Stabiliteti dhe siguria për juve dhe njerëzit tuaj është shumë e rëndësishme", theksoi ai.

Francken foli edhe për diasporën e Kosovës në Belgjikë e cila përbëhet prej më shumë se 40 mijë qytetarëve dhe faktin se vendi i tij është zemërhapur për të gjithë njerëzit nga Evropa.

Delegacioni belg është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa gjatë ditës do të takohet edhe me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrim Evropian.

TRT Balkan / agjencitë