Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, po qëndron për vizitë të Veriut të Mitrovicës.
Me të arritur në Kosovë, ajo tha se po përcjell mesazhin e presidentit serb në mbështetje të serbëve në Kosovë. Pikën kufitare në Jarinje, nga ku hyri në Kosovë, kryeministrja serbe Bërnabiq ka refuzuar ta quajë si të tillë, po i është referuar si vijë administrave. Para qytetarëve serbë theksoi se Vuçiq, siç luftoi për letërnjoftimet serbe në Kosovë, do të vazhdojë të luftojë edhe për formimin e Asociacionit.
“Do të vazhdojmë të luftojmë dhe të insistojmë në formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe këto janë gjëra nga të cilat nuk heqim dorë. Ju falemnderit që jeni mbledhur në numër të madh. Zemra ime është plot dhe sot është një ditë e veçantë”, deklaroi kryeministrja Bërnabiq.
Në takimin me përfaqësues të Listës Serbe, ajo tha se dërgon porosi për paqen, stabilitetin dhe tolerancën. Derisa shtoi se është e lumtur që më 31 korrik kanë arritur të ruajnë paqen dhe qetësinë.
“Sot dua t’jua përcjell mesazhin e presidentit Vuçiq se gjithmonë do të jemi me popullin tonë në Kosovë”, tha ajo.
Qytetarët serbë që kanë dalë ta presin kryeministren e Serbisë e cila po qëndron për një vizitë njëditore në Republikën e Kosovës po mbajnë pankarta në duar me mbishkrimin “Serbët nga Kosova gjithmonë me shtetin dhe kryeministren e tyre”, “Ne kemi një kryeministre, Ana Bërnabiq” etj.
Ndryshe, për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë vizitës së kryeministres Bërnabiq është kujdesur Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të tyre në segmentet nëpër të cilën do të kalojë eskorta e kryeministres serbe do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitetet.