Biblioteka Kombëtare e Kosovës me qasje për personat me aftësi të kufizuara         / Foto: AA

Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS) ka bërë përurimin e punimeve të krijimit të qasjes infrastrukturore për persona me aftësi të kufizuara në objektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, e cila është trashëgimi kulturore nën mbrojtjen e shtetit.

Qasja e jashtme në hyrje të Bibliotekës u bë për personat me karrige me rrota, u sigurua një vend parkimi, ndërsa brenda ndërtesës u instalua një ashensor, u sigurua qasje në tavolinat e leximit, u sigurua një mbrojtës për karriget me rrota, si dhe në amfiteatër dhe në banjë janë rregulluar hapësirat me vende adekuate për këta persona.

Alban Morina nga organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij tha se punimet e kryera në Bibliotekën Kombëtare janë vetëm një pjesë e vogël e projektit, i cili synon të krijojë qasje për personat me aftësi të kufizuara në objektet e trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Ai tha se është përgatitur edhe një udhëzim me standarde që duhet të respektojnë organizatat joqeveritare dhe kompanitë private që intervenojnë në objektet e trashëgimisë kulturore.

"Biblioteka Kombëtare tanimë është e qasshme për pjesën e hapësirave administrative. Pra, kemi planifikuar eventualisht që në qoftë se ndonjë person me aftësi të kufizuara punësohet në Bibliotekën Kombëtare, të ketë qasje në zyre. Është e qasshme në pjesën e hapësirës së ekspozitës, në amfiteatrin kryesor dhe në dy sallat e leximit. Kështu që, në shumicën e hapësirave tashmë kemi krijuar qasje", theksoi Morina.

Drejtori i Handikosit, Afrim Maliqi, tha se problemi më i madh për personat me aftësi të kufizuara është qasja në objekte. Maliqi theksoi se Biblioteka Kombëtare është zgjedhur para së gjithash për shkak të studentëve të cilët i përkasin kësaj kategorie të shoqërisë.

Ai tha se ky është një shembull se ndërtesat e vjetra mund të rinovohen.

"Një gjë që është me rëndësi është që edhe pse objekti është i vjetër për disa dekada, ka mundur të rregullohet dhe t'u përshtatet nevojave të personave me aftësi të kufizara që të kenë qasje dhe ambient të përshtatshëm si të gjithë të tjerët", theksoi Maliqi.

Maliqi ka kujtuar se në vitin 2007 në Kosovë ka hyrë në fuqi Dekreti Administrativ për qasjen e personave me aftësi të kufizuara, por ai nuk është zbatuar, sepse sikur të ishte zbatuar, sipas tij situata aktuale do të ishte më e mirë.

Sipas të dhënave të institucioneve kompetente, rreth 10 për qind e popullsisë së Kosovës i përket kategorisë së personave me aftësi të kufizuara të cilët vazhdojnë të përballen me shumë pengesa në realizimin e të drejtave të tyre në jetën e përditshme, ndër të tjera edhe për shkak të mungesës së aksesit adekuat në ndërtesa, shkallë dhe trotuare.

AA