Në kuadër të aktiviteteve në lidhje me 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të librave të dhuruara nga Biblioteka e Popullit e Presidencës së Türkiyes për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.
Në ceremoninë e dorëzimit të librave në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ishin të pranishëm ambasadori turk në Tiranë Tayyar Kağan Atay, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë Piro Misha dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori Atay u shpreh se viti 2023 është i rëndësishëm, pasi festojnë 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Türkiyes dhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Türkiyes dhe Shqipërisë.
"Marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Shqipërisë janë marrëdhënie të veçanta me lidhje shumë të forta sociale dhe kulturore. Në kuadër të këtyre marrëdhënieve, Biblioteka Popullore e Presidencës së Türkiyes ka vendosur që të dhurojë një fond titujsh për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë", u shpreh ambasadori Atay.
Ambasadori turk tha se Ambasada e Türkiyes në Tiranë do të përpiqet maksimalisht që ky fond librash të shtohet.
Misha, nga ana e tij, falënderoi Ambasadën turke dhe Presidencën turke për dhurimin e librave.
"Është një pasurim i bibliotekës tonë. Me ambasadorin (Atay) kemi folur për një bashkëpunim afatgjatë, mjaft të rëndësishëm në shumë fusha, për t'i dhënë jetë në mënyrë konkrete bashkëpunimit me Türkiyen, në fushat e interesit të përbashkët", tha Misha.
Misha tha se pjesa më e madhe e librave do të përdoren edhe për të krijuar një kënd të veçantë kushtuar kulturës moderne turke, sipas tij, krahas asaj të periudhës osmane. Ai shtoi se e rëndësishme është që këta libra të jenë të disponueshëm për kërkuesit, studiuesit dhe lexuesit.
Gjithashtu, Atay dhe Misha nënshrkuan aktin e dhurimit të librave.
Ndërkohë, janë 222 tituj dhe afërsisht 400 kopje të librave turqisht, shqip dhe anglisht, me tematika të ndryshme që janë dhuruar nga Biblioteka e Popullit e Presidencës së Türkiyes. Këta libra do të pasurojnë fondin e sallës orientale të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë të inauguruar së fundmi.