Pas tensioneve të shumta mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit të vitit 2022, përfaqësues të ShBA-së dhe vendeve kryesore të BE-së e nisin janarin me agjendë intensive në linjën Prishtinë-Beograd.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe qeveria e Francëz dhe ajo e Gjermanisë do të dërgojnë përfaqësues të lartë në dy vendet e Ballkanit Perëndimor, në tentativë për t’i kthyer palët në tavolinën e bisedimeve.
BE-ja dhe ShBA-ja e kanë bërë të qartë disa herë se presin angazhim të fuqishëm nga Prishtina dhe Beogradi për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjate mes dy vendeve, sa më shpejt të jetë e mundur. Në tavolinë është propozimi i ashtuquajtur “franko-gjerman”, që shihet si bazë për shoshitjen e dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Chollet viziton rajonin gjatë javës
Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Shkupin, Prishtinën dhe Beogradin gjatë kësaj jave. Siç njoftojnë Departamenti i Shtetit, Chollet vjen për të theksuar përkushtimin e vazhdueshëm amerikan për paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor.
Chollet do të qëndrojnë në Prishtinë më 11 janar.
“Këshilltari Chollet do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takojë zyrtarët qeveritarë, liderët e tjerë politikë dhe shoqërinë civile, për të diskutuar përpjekjet e ShBA-së për të ndihmuar avancimin e integrimeve Euro-Atlantike për Kosovën, përfshirë angazhimin nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të fokusuar në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Këshilltari Derek Chollet do të udhëtojë në Serbi më 12 janar, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë një ndër temat kyç edhe gjatë takimeve në Beograd.
“Më 12 janar, këshilltari Chollet do të udhëtojë në Beograd, Serbi, ku do të diskutojë rreth sigurisë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe avancimin drejt qëllimit të Serbisë për anëtarësim në BE. Ai gjithashtu do të diskutojë rreth rolit të Serbisë për përforcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit.
Këshilltarët e Macronit dhe Scholzit në Prishtinë dhe Beograd gjatë janarit
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz do t’i dërgojnë kryekëshilltarët e tyre, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, në Prishtinë dhe Beograd gjatë janarit.
Edhe pse datat e vizitave të tyre dhe temat e diskutimit akoma nuk janë konfirmuar, është e qartë se fokusi i qeverisë në Francë dhe asaj në Gjermani mbetet normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i shprehur edhe nëpërmjet angazhimit të tyre të theksuar për dialogun.
Bonne dhe Plotner vizituan rajonin edhe gjatë vitit të kaluar, ndërsa Macron dhe Scholz e kishin bërë të qartë se ata do të ndihmojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, në emër të Parisit dhe të Berlinit.