Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut, shkruan në Facebook, Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit i Republikës së Kosovës, Hajrullah Çeku.
Çeku letrën e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, e ka komentuar si shtrembërim të realitetit, në të cilën përdoret edhe gjuhë fyese.
“Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë. Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës”, shkruan ministri Çeku.
Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE-ja, veç të tjerash, siç shkruan Çeku, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht.
“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat europiane e botërore të sportit”, thekson Çeku.
Në reagimin e tij Çeku ka shkruar Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s dhe e FIFA-s. Ai u ka bërë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.
Në lidhje me këto organizime të garave ilegale në Kosovë nga ana e Serbisë, javën e kaluar FFK-ja i ka dërguar letër edhe UEFA-s dhe FIFA-s