Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Cramon tha se është befasuar se ende nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e këtij procesi për kosovarët. Foto: AA

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë ka mbajtur konferencë për media duke paraqitur pikëpamjet e saj për situatën aktuale posaçërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Cramon tha se është befasuar se ende nuk është marrë asnjë vendim për përfundimin e këtij procesi për kosovarët.

Cramon tha se e ka parë se liberalizimi i vizave për kosovarët ishte në agjendë për herë të parë në grupin Punues të Këshillit Evropian, por ende nuk është marrë një vendim i qartë.

Sipas Cramon “nuk arsyetohet aspak ajo çfarë po ndodh, shpresojmë që të ndodhë një vendim pa kërkesa të reja për Kosovën”.

“Do të ketë një votim tjetër kah mesi nëntorit apo fillimi i dhjetorit dhe në prapaskenë po punojmë shumë që ta shohim një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave që qytetarët e Kosovës e kanë merituar moti dhe është dashur të ndodhte moti”, theksoi Cramon.

Për procesin e dialogut, Cramon komentoi nismën e re franko-gjermane duke nënvizuar se “po shihet që ka përparim” dhe në Prishtinë dhe Beograd njerëzit e kanë kuptuar se është koha për një marrëveshje për të dyja palët.

“Shihet se ka përparim të ri, është një frymë e re me gjithë procesin, po e shohim se në të dyja anët, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, njerëzit e kanë kuptuar se është koha dhe momenti që të arrijmë nëse jo një marrëveshje përfundimtare, të paktën një pako e cila do të ishte e pranueshme për të dyja palët”, theksoi Cramon.

Ajo shtoi se është një rast i mrekullueshëm që të dyja palët të ecin drejt integrimit evropian.

Sipas raportueses së Kosovës në Parlamentin Evropian, Kosova dhe Serbia duhet t'i shqyrtojnë edhe çështjet e përditshmërisë, si njohja e letërnjoftimeve, njohja e diplomave dhe ato që lidhet direkt me jetën e qytetarëve.

Duke folur për krizën energjetike në Evropë, Cramon tha se Kosova po vazhdon me kushte të vështira ndërsa Qeveria e Kosovës nuk mund ta ndryshojë këtë gjendje.

Ajo tha se BE-ja po mundohet të ndërtojë një lloj solidariteti apo sindikate për energji.

AA