Dedias: Greqia mbështet dialogun Prishtinë-Beograd. / Photo: AA

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka pritur në takim homologun e saj grek Nikos Dendias.

“Roli i Greqisë është i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet edhe me Serbinë, me qëllim që të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit”, tha Gërvalla pas takimit.

Ndërsa ministri grek tha se e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi dhe sipas tij duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura.

“Mbështesim diskutimin Prishtinë- Beograd për dialogun dhe marrëveshjet ligjërisht të obligueshme… Është e rëndësishme të zbatohet ajo që është arritur, ky ishte edhe mesazhi për Beogradin dje. Bashkimi Evropian është destinacioni përfundimtar për te gjithë Ballkanin Perëndimor, kjo duhet të jetë pika përfundimtare për të gjithë”.

Ai njoftoi se me ministren Gërvalla kanë diskutuar për energjinë pas pushtimit rus në Ukrainë, ku tha se Greqia është e gatshme t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe për zhvillimet e fundit në rajon.

Gjatë këtij takimi ministri Dedias homologes kosovare Gërvalle ia prezantoi përfaqësuesen greke për Ballkanin Perëndimor me ministren Gërvalla.

Vizita e ministrit Dendias në Kosovë është e katërta me radhë që prej kohës kur ai mori detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme në korrik të vitit 2019.

Ndryshe, Greqia është një nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, megjithëse krerë të institucioneve të këtij vendi janë shprehur pro integrimit të Kosovës në BE.

TRT Balkan / agjencitë